Aktualitet “Ervis Martinaj u zhduk në Shijak, policia e di se në cilën...

“Ervis Martinaj u zhduk në Shijak, policia e di se në cilën shtëpi. Ky është personi që mund të zbardhë misterin”

Gazetari i kronikës së zezë, Elton Qyno, tha se çështja e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, nëse është zhdukur apo e gjitha është inskenim, ngre shumë pikëpyetje.

Në një intervistë për Ora Neës, Qyno tha se asnjëra nga të dyja nuk përjashtohet, ndërsa shtoi se Martinaj shumë herë ka qenë nën shënjestër për t’u vrarë.

“Ngjarja për Martinaj dhe për zhdukjen e tij ka shumë pikëpyetje, nëse është inskenim apo pengmarrje. Flitet që Martinaj është marrë peng, por nuk ka asnjë video. Nuk përjashtohet mundësia e inskenimit dhe vrasjes pasi Martinaj ka qenë shënjestër disa herë për t’u vrarë. Është ndjekur hap pas hapi në shumë qytete të Shqipërisë”, tha ai.

Gazetari theksoi se nëse Martinaj është rrëmbyer dhe zhdukur, policia e ka këtë informacion dhe ish-efektivi i arrestuar Jeton Lami ka informacion se ku është çuar Ervis Martinaj.

“Unë ngre pikëpyetje se nëse ky individë është rrëmbyer pa diskutim se Policia e Shtetit ka pasur informacion se ku është rrëmbyer dhe nëse është vrarë policia ka informacion. Ka qenë një person i rrethuar nga policia. Ai i paguante për çdo lloj shërbimi. Policia dhe vetë Jeton Lami, ka informacion se ku është çuar Ervis Martinaj.

Nëse e ka marrë nga Durrësi, më pas në zonën e ‘Zogut të Zi’ e më pas në Shijak, atëherë kujt ia ka çuar këtë individ? Më rezulton se pika e fundit e Martinajt ka qenë Shijaku. Pse nuk pyeten oficerët e policisë që e kanë e marrë dhe e kanë çuar në një shtëpi? Ata e dinë se e kujt ka qenë shtëpia”, shprehet gazetari.

Më tej Qyno tha se për çështjen e Martinajt ka shumë dyshime pasi hetimi nuk po bëhet nga SPAK, por nga Prokuroria e Laçit.

“Kam dyshime që hetimi i është lënë Prokurorisë së Laçit, dhe nuk e ka marrë në dorë çështjen në dorë SPAK, që është dhe Prokuroria që e ka shpallur në kërkim”.