Bamir Topi, ish-President i Republikës, nuk sheh asnjë arsye për krijimin e një qeveri teknike e cila të garantojë zgjedhjet, pasi sipas tij siguria e votës vjen nga ligji.
Kreu i FRD-së nuk është kundër komunikimit politik, por kur bëhet fjalë për mundësinë e një koalicioni me PD-në, thotë se tashmë ajo derë është e mbyllur.
Kreu i FRD-së shprehet për “Gazeta Shqiptare” se “ai ambient ka nevojë të ajroset, për t’u pastruar nga era e rëndë e ‘kadavrave’ politike, të cilat jo vetëm kanë mbytur të djathtën politike, por po tentojnë të shtojnë kaosin politik në Shqipëri”.
Topi flet edhe për konfliktin brenda mazhorancës mes dy aleatëve, PS-së dhe LSI-së, reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore, si dhe synimet e FRD-së për zgjedhjet e 18 qershorit.
Z. Topi, ku është përqendruar aktualisht aktiviteti politik i FRD-së?
Fryma e Re Demokratike është në vigjilje të aktiviteteve të 5-vjetorit të themelimit si parti politike. Këto vite e kanë konfiguruar FRD-në si një parti politike me një fizionomi të vetën, të pangatërrueshëm me asnjë formacion tjetër politik. Ne vijojmë aktivitetin politik në zyrë dhe terren, në media e publik, në kontakte zyrtare, dhe po përgatitemi të futemi në fazën më intensive sikurse është fushata e zgjedhjeve politike të 18 qershorit.
A ka bisedime mes jush dhe kryeministrit Rama për t’u përfshirë në koalicion me PS-në?
Në politikë nuk mund të përjashtohen takimet, në të gjitha planet e komunikimit, si të drejtpërdrejta, sikurse nëpërmjet gjuhës së artikulimit publik. Ne jemi shprehur se ka një mendim të gjerë për t’u përfshirë në një koalicion parazgjedhor për shkak të sistemit, por ende pa e definuar se në ç’mënyrë dhe me cilat kushte politike. Sidoqoftë jemi në kontakte që mbajnë normalisht përfaqësuesit e partive për mënyrën e daljes dhe përfaqësimit në zgjedhjet politike.
A është e vërtetë që emri juaj do të jetë në listën e PS-së për deputetë në parlamentin e ardhshëm?
Në rast se vini tek unë për të konfirmuar një të pavërtetë, sinqerisht nuk më habit. Së pari, këtë mënyrë intrigante të të bërit diversion nëpërmjet disa burimeve të rreme e shikoj prej kohësh dhe nuk më bën përshtypje. Së dyti, për ta frenuar këtë të keqe të simbiozës politikë-media, ju duhej të kishit cituar burimin e saktë, pasi në këtë mënyrë siç formulohet pyetja, merr karakter provokativ.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, unë si individ dhe si kryetar i FRD-së nuk do të luaj kurrë për ngjyrat e një formacioni tjetër, veç përfaqësimit në “ekipin kombëtar” për ngjyrat e Shqipërisë.
Po me PD-në, a ka tratativa për një koalicion të përbashkët? Z. Basha e ka lënë të hapur mundësinë e bashkëpunimit mes PD-së dhe FRD-së. Sa të gatshëm jeni ju për të hyrë në bisedime me kreun e PD-së?
Jo, nuk ka asnjë lloj apo formë komunikimi. Ju thoni se kryetari i PD-së e ka lënë të hapur derën e komunikimit për të bashkëpunuar. Sidoqoftë, ne si FRD apo unë si person, në parim nuk jemi kundër komunikimit politik, por e thënë në ajër dhe pa adresim nuk tingëllon serioze, për të cilën edhe nuk mund ta kemi si nevojë.
Ajo derë që konsiderohet “e hapur” është e mbyllur nga unë me forcë, kur kam dalë nga ai ambient që ka nevojë të ajroset, për t’u pastruar nga era e rëndë e “kadavrave” politike, të cilat jo vetëm kanë mbytur të djathtën politike, por po tentojnë të shtojnë kaosin politik në Shqipëri.
Cila është përgjigjja juaj për akuzat e fundit të z. Berisha ndaj jush?
Duhej të ishit treguar më specifike në pyetjen tuaj, pasi Sali Berisha artikulon pambarimisht akuza për kundërshtarët politikë, figura publike që nuk mbështesin kursin e tij. Ai denigron të tjerët me pasion patologjik konstant, madje edhe përfaqësues të politikës ndërkombëtare. Është sa e lehtë, po aq e vështirë të japësh konsideratë për akuzat e Saliut, pasi ai i bën deklaratat në kushte të emergjencës personale të tij.
Ai është sot në një gjendje të rënduar politike dhe psikologjike për mjaft çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë, e cila ka falimentuar të japë drejtësi për disa ngjarje të rënda të periudhës “Berisha”, si “Gërdeci”, “21 janari”, apo dhe çështje të tjera me natyrë korruptive. Në këto kushte ai kërkon të baltosë cilindo që është bërë barrikadë për mbrojtjen e shtetit dhe qytetarëve.
Unë ia kam bërë të qartë publikisht, gjë që ai e din mjaft mirë, se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe për sa më takon në marrëdhëniet Qeveri-President, gjithçka është përcaktuar me votën e grupit të tij në parlament. Për këtë arsye Saliu duhet të mbajë të gjitha përgjegjësitë e vendimmarrjeve të tij gjatë qeverisjes 8-vjeçare.
A besoni se do të ishte funksional një tjetër koalicion mes PD-së dhe LSI-së?
Mënyra se si lidhen koalicionet dalin jashtë interesit tonë, por edhe jashtë mundësive tona për të influencuar. Sipas meje, partitë që kanë krijuar qeveritë vitet e fundit, kanë dëshmuar vetëm interesa pushteti. Çështja sot është te qytetarët, të cilët nuk po dalin dot nga grackat e partive, duke u zënë robër në zgjedhjet e tyre, për një politikë parimore dhe jo të interesave të disa individëve për pushtet të përjetshëm.
Si e konsideroni protestën e opozitës para godinës së Kryeministrisë?
Protesta e opozitës është një instrument që ajo e zgjedh vetë dhe nuk gjej motiv ta përshkruaj. Mënyra e demonstrimit do të përcaktojë dhe fatin e protestës. Ajo protestë nuk është formalisht e jona, pasi FRD-ja ka vite që flet për nevojën e reformës zgjedhore dhe nevojën jetike për zgjedhje që nuk vidhen.
Problem i madh është vetë Partia Demokratike dhe ish-lideri i saj; janë identifikuar si pengues kryesorë të reformës, madje si kryearkitekti që prishi ekuilibrat politikë, institucionalë dhe mekanizmat zgjedhorë, me dhunimin e Kushtetutës në vitin 2008. Rregulli klasik “Çfarë ke bërë do të ta bëjnë” funksionon bukur në këtë rast.
Realisht, a duhet të japë dorëheqjen kryeministri Rama dhe t’i hapë rrugën një qeverie teknike siç kërkon opozita?
Personalisht nuk shoh asnjë arsye për qeveri teknike e cila të garantojë zgjedhjet, pasi të njëjtën pasiguri kemi përjetuar kur në krye të qeverisë ishte Sali Berisha. Korrigjoni sa më shpejt sistemin. Jepini zgjidhje politike e kushtetuese një procesi që vetë e keni dështuar. Siguria e votës nuk vjen nga qeveria teknike, por nga ligji, që askush nga ata që ka përfaqësimin politik në komision, nuk e dëshiron.
Në të vërtetë, kush po e pengon reformën në drejtësi?
Nuk ka nevojë ta jap unë verdiktin, pasi aktorët politikë janë pozicionuar qartë, se kush e do reformën në drejtësi dhe kush jo.
Shikojini, studiojini dhe analizoni qëndrimet, dhe aty do gjeni përgjigjen. Nëse do ishte vullneti politik dhe mungesa e frikës nga zullumet e qeverisjeve, sigurisht reforma do të ishte kryer.
Si e gjykoni “përplasjen” e PD-së me ambasadorin Lu dhe, nga ana tjetër, apelin e ndërkombëtarëve për t’iu rikthyer jetës parlamentare në Kuvend?
Përplasjen publike të PD-së (të një pjese të saj) me ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së e shikoj me një vështrim realist për shkak të parimeve që nuk ekzistojnë sot te formacioni i Sali Berishës. Ka një hipokrizi te politikanët, që apriori vlerësojnë bashkëpunimin dhe në të njëjtën kohë bëjnë çmos ta dështojnë procesin. Kjo reformë nuk ka shanse të dështojë! Mund të vonojë pak, por do të realizohet me çdo kusht! Ky është një proces që nuk ka kthim mbrapa.
Si po bashkëqeveris e majta dhe si e interpretoni konfliktin brenda llojit, atë mes PS-së dhe LSI-së, pak muaj para zgjedhjeve të 18 qershorit? Besoni se Edi Rama dhe Ilir Meta do të rinegociojnë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare?
Qeveria dhe përgjithësisht mazhoranca po qeverisin në kushtet e një psikoze kolektive që, nga çasti në çast mund të prishen. Kjo, sigurisht nuk është normale, pasi shoqëria nuk mund të jetojë me përplasjet apo makinacionet e pushtetit.
Gjërat, ose shkojnë, ose jo. Për këtë problem duhet më shumë transparencë, jo për të parë emocionet e liderëve politikë, por për premisat ku po shkon Shqipëria me këto kontradikta në të gjitha planet. Nëse problemet ekzistojnë, – dhe sipas meje ato ekzistojnë me bollëk, – çdo tentativë për të shëruar plagë që nuk mbyllen është premisë e zymtë që gjërat në Shqipëri do të mund të rregullohen. Kur ky interesim i pushtetit dominon interesin e shoqërisë, gjërat sa vijnë e përkeqësohen. Sidoqoftë, nuk është një gjë që varet nga opinioni ynë.
Cili është qëndrimi i FRD-së për reformën zgjedhore dhe, sipas jush, çfarë e bën më të sigurt votën e 18 qershorit?
Reforma zgjedhore, pas disa vdekjeve klinike dhe rikthimit të përkohshëm në jetë, tashmë ndodhet në agoni në shtratin e vdekjes. Ka mbetur vetëm për ta qarë. Në mënyrë alegorike ju them se ajo po vdes dhe po lë jetime institucione që, sikurse po shihet, nuk garantojnë më asgjë. Ditët kalojnë, dëgjojmë gënjeshtra dhe akuza, por vetëm zgjidhje nuk ka. Shpresa vdes e fundit, por edhe kësaj siç shihet i ka ardhur koha të vdesë.
Çfarë synon FRD-ja në zgjedhjet e 18 qershorit? Sa deputetë synoni të keni në Kuvendin e ri?
Synimi i Frymës së Re Demokratike është i qartë, që të përfaqësohet denjësisht në zgjedhje, për të pasur një përfaqësim dinjitoz në parlament.