Sport Euro 2020/ Spanja “blindon” kreun, Italia nis arratinë, Greqia për turp

Euro 2020/ Spanja “blindon” kreun, Italia nis arratinë, Greqia për turp

Spanja është praktikisht ekipi i parë që kualifikohet në Euro 2020.

Kombëtarja iberike mposhti 4-0 Ishujt Faraoe, duke u ngjitur në kuotën e 18 pikëve pas 6 takimesh. Dopietat e Rodrigo e Alcacer vendosen fatet e takimit, teksa e dërgoi në 7 pikë distancën me ndjekësin më të afërt, Suedinë. Kur kanë mbetur edhe 12 pikë në dispozicion, Spanja numëron 18 pikë, Suedia 11 dhe Rumania 9.

Fitore arriti dhe Italia, që thelloi në 6 pikë distancën me Finlandën. Ishin pikërisht këto të fundit që “ranë” nën hegjemoninë e azurrëve, të cilët shënuan me anë të Immobile dhe Jorginho për t’u ngjitur në kuotën e 18 pikëve në grupin J.

Një rezultat surprizë është regjistruar mbrëmjen e sotme. Greqia i ka surprizuar të gjithë, teksa nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj Lihtenshtejnit, duke konfirmuar kështu krizën që është duke kaluar.

Në 6 takime kombëtarja helene ka arritur të sigurojë vetëm 5 pikë, teksa kualifikimi në Europian është thuajse i pamundur. Sfida tjetër mes Suedisë dhe Norvegjisë, përfundoi në barazim 1-1.