Ekonomi Eurocontrol ul tarifën për Rinasin, nuk e ndryshon atë të Kukësit

Eurocontrol ul tarifën për Rinasin, nuk e ndryshon atë të Kukësit

Tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit për vitin 2022 do të jetë më e ulët se ajo e një viti më parë.

Eurocontrol, organizata që menaxhon trafikun ajror europian dhe faturon e mbledh tarifat (për llogari të Albcontrol) vendosi që kjo ulje të jetë me 2.6% në raport me vitin 2021. Konkretisht tarifa e terminalit për Aeroportin e Rinasit do të jetë 229.48 euro, ndërkohë që më herët ishte 235.67 euro. Aeroporti i Rinasit është kryesori e për rrjedhojë duke u kategorizuar në zonën 1 e për rrjedhojë ka edhe një tarifë më të lartë.

Për Aeroportin e Kukësit për të cilin e njëjta agjenci vendosi korrikun e vitit të shkuar tarifë terminali 117.84 euro, edhe në vitin 2022 do të jetë i njëjti nivel. Ky aeroport cilësohet si pjesë e zonës 2.

Në njoftim thuhet se për pagesat e vonuara do të aplikohet edhe interes, i cili për këtë vit është 9.48% duke pësuar edhe ky i fundit një ulje të lehtë në raport me interesin e vitit 2021.

Shqipëria ka aktualisht dy aeroporte, por aktualisht vetëm nga Rinasi mund të kryhen fluturime ndërkohë që Kukësi prej disa kohësh nuk ka fluturime.

Në proces është ndërtimi i një aeroporti të tretë në Jug të vendit’ konkretisht në zonën e Akërnisë në Vlorë ndërkohë që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tentoi të japë një koncesion për një të katërt në Sarandë, por që përfundoi pa sukses.