Kryesore Fatos Klosi: Biseda ime me Visho Ajazin

Fatos Klosi: Biseda ime me Visho Ajazin

Fatos Klosi

Ish-drejtori i SHIK-ut, Fatos Klosi ka analizuar dorëheqjen e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika gjatë ditës së sotme.

Në prononcimin e tij për DITA ai tha se emërimet në këtë organ janë bërë fatkeqësisht nga politika duke larguar njerëzit profesionistë dhe në vendin e tyre janë zgjedhur njerëz që kanë qenë të implikuar me politikë.

Largimin e shefit të SHISH, Klosi e ka cilësuar si të papritur, duke shtuar se në periudhën e demokracisë drejtuesi i këtij institucioni është larguar me shkarkim nga kryeministri, por më parë duhet të merrte dekretimin nga Presidenti i vendit.

“Nuk i di motivet e dorëheqjes së Visho Ajazit nga kreu i Shërbimit Informativ.

Nuk kam si t’i di, pasi ato nuk u thanë publikisht. Por mendoj se ka qenë një dorëheqje e imponuar. Për punën e tij në Shërbim ka vlerësime të ndryshme dhe kontradiktore.

Nga një anë ai ka marrë dekorata nga Presidenti që ishte një njeri i politizuar, nga ana tjetër është kritikuar për shumë gjëra që nuk i bëri ose i bëri gabim. Prandaj dhe është kërkuar dorëheqja e tij. Mënyra se si informonte më parë tek ish-kryeministri dhe Presidenti, pastaj te Kryeministri janë kritikuar me të drejtë se ka qenë krejtësisht gabim. Ai është kritikuar edhe për përgjimet.

Një nga kritikat që do t’i bëja unë ishte se ai e politizoi shërbimin, kur me ligj ky shërbim është i depolitizuar dhe i departizuar. Ai ktheu në punë ata që kishin ikur, ish-punonjës të Gazidedes që ikën me ikjen e Berishës.

Edhe Vishua iku. Kur e mora unë shërbimin i kam thënë të mos ikte, por ai iku bashkë me tjerët jashtë shtetit. U kthye dhe u vu në krye të shërbimit, kur u rikthye sërish Berisha në pushtet.

Për këtë që është propozuar të marrë kreun e SHISH, nuk mund të them asgjë. Nuk e njoh. Ajo që bën përshtypje është se edhe ky u zgjodh nga ata të ikurit, si Vishua. Madje paska ndryshuar edhe emrin andej. Kjo nuk të lë një shije të mirë,” u shpreh Klosi për Dita.