Aktualitet Pse u largua Visho Ajazi? Pikëpyetjet e dorëheqjes misterioze

Pse u largua Visho Ajazi? Pikëpyetjet e dorëheqjes misterioze

Pse dha dorëheqjen shefi i Shërbimit Informativ Shqiptar? A kanë rol amerikanët? Flasin Blendi Fevziu, Mero Baze, Alfred Peza dhe Fatos Lubonja.

Dorëheqja e Visho Ajazit si shef i Shërbimit Informativ Shqiptar ka ngritur shumë pikëpyetje, duke kaluar në plan të dytë edhe çështjen “Tahiri”.

Largimi i Visho Ajazit erdhi e papritur pasi në korridoret e politikës qëndrimi i tij në krye të SHISH nuk diskutohej.

Në këtë mënyrë, disa nga analistët shqiptarë janë rrekur të japin arsyet se pse u largua kryespiuni shqiptar.

Blendi Fevziu në një shkrim në portalin e tij ka ngritur shumë pikëpyetje për largimin e Visho Ajazit, por pa dhënë asnjë arsye konkrete.

Në shkrimin e tij, Fevziu zbulon çfarë deklaroi kreu i SHISH në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare më 3 nëntor 2016.

“Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare thirrur nga Presidenti më 3 nëntor 2016, Visho Ajazi ka qenë më denoncuesi. Ai ka thënë një fakt që deri më sot nuk është bërë publik. Nga burime tonat ai ka deklaruar atje se shërbimi sekret ka dhënë alarmin për futjen thuajse legale, por edhe ilegale në Shqipëri të farës së kanabisit. Po në atë mbledhje ai ka deklaruar se në Shqipëri janë futur 7 milion fara kanabisi dhe se askush nuk ka reaguar për këtë. Bllokimi i kanabisit duhej të niste nga bllokimi i farës që e prodhon. Shish ka folur me emra konkretë dhe me shqetësim dhe sot, të gjithë po vijnë tek ai alarm i njoftuar së pari nga Ajazi”, shkruan Fevziu, që sakaq shton akoma më shumë misterin e largimit të Visho Ajazit kur shkruan se “Shqipëria ndodhet në një moment shumë delikat në hetimin e drogës, nisur nga hetimi i rastit Tahiri. SHISH si edhe Prokuroria kanë një rol shumë të rëndësishëm në këtë drejtim. Dhe dorëheqja ngre pikëpyetjen nëse ka ajo lidhje me hetimin aktual ndaj Tahirit?

Dhe pikërisht në këtë moment, Ajazi ka vendosur të largohet. Ka vendosur vetë apo e kanë detyruar të vendosë, këtë nuk mund ta thotë askush me saktësi. Sepse askush nuk e di çfarë ka ndodhur realisht në këtë fundjave mes Shefit të SHISH dhe forcave të tjera politike në vend. Siç nuk e dimë çfarë ka ndodhur në aksionin e Babicës dhe sa ka luajtur rol ai aksion në këtë dorëheqje”.

Ndërsa gazetari Mero Baze largimin e Visho Ajazit e ka kapur në një këndvështrim tjetër.

Baze nuk është marrë me arsyet e largimit të ish-kreut të SHISH, por me kundërshtarin e tij të madh, ish-kryeministrin Sali Berisha”.

Botuesi i gazetës “TemA”, në një shkrim me titull se “Përse Berishakërkon të fsheh arsyen e “dorëheqjes” së Visho Ajazit”, shkruan për tërbimin e Berishës për dorëheqjen e Visho Ajazit nga posti i kryetarit të SHISH.

Duke theksuar se amerikanët e zmbrapsën tre herë Berishën në përpjekjet e tij, për ta ndryshuar ligjin e SHISH e për të emëruar Ajazin, më 2005, 2007 dhe 2010, Baze shkruan se “tërbimi i Berishës nuk është se Edi Rama i ka bërë vërtet preson Ajazit për ta hequr dhe e ka zëvendësuar me dikë tjetër. Se tjetri, është po ashtu një i emëruar i Gazidedes dhe vartës i Ajazit. Berisha është i shqetësuar se ka kuptuar që Ajazi u largua në mirëkuptim me “garantët” e tij. Ai bën sikur i ulërin Ramës, por në fakt ndjehet i tradhëtuar nga Ajazi, që nuk i tha së paku se i ka mbaruar garancia  atyre që e mbajtën në detyrë deri më sot”.

“Është e njëjta frikë që e ka pas për Veting-un, apo SPAK. Bënte sikur bërtiste që po e kap Edi Rama, po në fakt në ëndërr i dilte Lu dhe Vlahutin. Është pak a shumë e njëjta sindromë. Nuk i dhimbset pse ka ikur Visho pa e njoftuar, biles ka mundësi, që privatisht t’ia llogarisë si “thikë pas shpine” këtë akt dorëheqje. Është gjetur i papërgatitur për faktin se tani e tutje , ata që po kontrollojnë reformën në drejtësi, po kontrollojnë dhe SHISH. Dhe atij i duhet që të mos i tremben “ushtarët” dhe ti dezertojnë. Dorëheqja e Vishos është sinjal I keq për të dhe ai po kërkon ti mbaj të bashkuar ushtarët e vet, duke thënë se nuk kemi përball Perëndimin, por Edi Ramën. Është e vetmja mënyrë të shpresoj që nuk do ketë dezertime të tjera, siç i ndodhi në vitin 1997. Dhe të mendosh që Vishua nuk e tradhëtoi, as më 1997. Megjithëse atëherë një pasaportë kishte. Tani ka dhe kanadezen”, mbyll shkrimin e tij Mero Baze.

Ndërsa ish-deputeti socialist Alfred Peza thekson në një shkrim të tij se mazhoranca edhe sikur të donte, nuk mund ti bënte dot presion shefit të shërbimit sekret shqiptar.

“Lideri i opozitës edhe “de facto” Berisha edhe ai “de juro” Basha, kanë deklaruar se ky veprim ka qenë i papritur për ta. Të dy konvergojnë në një linjë, duke lënë të kuptohet që prapa këtij akti, ka qenë “presioni” që i është bërë z. Ajazi. Pyetja është se kush mund ti bëjë presion shefit të shërbimit sekret shqiptar, një vendi anëtar i NATO dhe i aleancës ndërkombëtare antiterror, për ta detyruar të largohet në heshtje nga detyra?! Ç’farë ka bërë dhe pse mund ta “hajë” presionin Nr. 1 i shërbimit të fshehtë, kur ai ka qenë në rregull me punën e tij, objektin e saj kushtetues dhe ligjet e shtetit, në marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë dhe me konventat ndërkombëtare ku ne aderojmë në këtë fushë?, shkruan Peza që tashmë i është kthyer gazetarisë.

Nga ana tjetër, Fatos Lubonja ka dalë kundër rrymës.

Ai thotë se dorëheqja e Visho Ajazit ngre dyshime për funksionimin e këtij institucioni.

I ftuar në studion e lajmeve të “Neës24”, Lubonja u shpreh se ”Ajazi duhet të na thotë pse iku dhe të na thotë pse s’ka vënë shërbimet e duhura, në kuptimin e informacioneve, për kryeministrin apo presidentin, lidhur me gjithë këtë zallamahi që ka filluar që me Zaganin dhe pastaj të ikë që të kuptojmë të paktën. Para se të iki na jep ca sqarime.

Nëse ka ikur Visho Ajazi për paaftësi duhet të ikë edhe ky se ky zëvendësi i tij është.

Këtu interesi është të mos hetohet korrupsioni i të mëdhenjve. Helidon Bendo është po aq përgjegjës sa Visho Ajazi. Nëse Visho Ajazi ikën në mënyrë kaq të turpshme, aty vihet në dyshim i gjithë institucioni”, tha Lubonja.

A ka rol SHBA?

Duket se emërimi i drejtorit të ri të Shërbimit Informativ Shqiptar nga Edi Rama duket se ka angazhuar edhe ambasadën amerikane në Tiranë.

Siç raporton TCH mesditën e sotme përpos disa automjeteve me targa zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të SHISH është parë të futet edhe një makinë me targa diplomatike e ambasadës amerikane.

Ky fakt e shton akoma më shumë misterin e largimit të Visho Ajazi Likës.

Por si e shikon ish-drejtuesi i SHIK, Fatos Klosi, largimin e një tjetër kryespiuni.

Në prononcimin për DITA-n ai tha se emërimet në këtë organ janë bërë fatkeqësisht nga politika duke larguar njerëzit profesionistë dhe në vendin e tyre janë zgjedhur njerëz që kanë qenë të implikuar me politikë.

Largimin e shefit të SHISH, Klosi e ka cilësuar si të papritur, duke shtuar se në periudhën e demokracisë drejtuesi i këtij institucioni është larguar me shkarkim nga kryeministri, por më parë duhet të merrte dekretimin nga Presidenti i vendit.

“Nuk i di motivet e dorëheqjes së Visho Ajazit nga kreu i Shërbimit Informativ.

Nuk kam si t’i di, pasi ato nuk u thanë publikisht. Por mendoj se ka qenë një dorëheqje e imponuar. Për punën e tij në Shërbim ka vlerësime të ndryshme dhe kontradiktore.

Nga një anë ai ka marrë dekorata nga presidenti që ishte një njeri i politizuar, nga ana tjetër është kritikuar për shumë gjëra që nuk i bëri ose i bëri gabim. Prandaj dhe është kërkuar dorëheqja e tij. Mënyra se si informonte më parë tek ish-kryeministri dhe presidenti, pastaj te Kryeministri janë kritikuar me të drejtë se ka qenë krejtësisht gabim. Ai është kritikuar edhe për përgjimet”, u shpreh Klosi.