Kryesore FBI do sjellë në Tiranë poligrafin (dhe një histori e shkurtër e...

FBI do sjellë në Tiranë poligrafin (dhe një histori e shkurtër e makinës të së vërtetës)

Gjatë ditëve në vijim, në Nëntor do të vijnë në Tiranë disa agjentë të specializuar të FBI-së amerikane për të ndihmuar Policinë e Shtetit në luftën kundër bandave kriminale në vend.

Ky fakt është përsëritur sot kryeministri Edi Rama dhe nga ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Rama theksoi se FBI do të asistojë edhe në vetingun e policisë, për të larguar punonjësit e policisë të inkriminuar dhe të korruptuar.

Bëhet fjalë për një marrëveshje të nënshkruar mes FBI-së dhe Policisë së Shtetit. Kryeministri zbuloi se bëhet fjalë për një agjent prestigjioz të Byrosë Amerikane të Investigimit që do të asistojë.

Po kështu, do të jetë edhe një kompani amerikane e drejtuar nga ish-agjentë të FBI-së, e cila do të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit.

Gjithashtu FBI do të sjellë pajisjet e saj të specializuara që do të përdoren për të luftuar bandat, por edhe për të ndihmuar për vetingun në polici.

Një prej tyre është edhe poligrafi, aparatura që tregon të vërtetën.

“Do të vijë një agjent prestigjioz i FBI. Mbërrin dhe një agjent tjetër për të mbështetur policinë kundër krimit të organizuar. Po diskutojmë me një kompani hetimesh që drejtohet nga ish-agjentë të FBI-së dhe do të vijnë këtu. Do sjellin eksperiencë që ne nuk e kemi, fuqi motivuese, por do sjellin dhe instrumentet e tyre operacionale për vetingun në Policinë e Shtetit. Nuk do ketë drejtues policie që nuk do të kalojë testin. Ka dhe një instrument për sinqeritetin, poligrafi. Të gjitha këto do të jenë këtu”, tha Rama para drejtuesve të policisë.

Por cila është historia e makinës të së vërtetës?

Poligrafi u shpik më 1921 në Berlki, Kaliforni.

Oficeri i policisë së Berklit, John Larson (polici i parë që mori një gradë akademike) krijoi makinën e parë të së vërtetës, duke e bazuar atë në testin e presionit të gjakut që ishte krijuar nga psikologu William Moulton Marston. Marston besonte se ndryshimet në presionin e gjakut mund të tregojnë nëse dikush po gënjen. Kjo shpikje u mbështet fort nga shefi i famshëm policisë së Berklit, August Vollmer

Poligrafi modern mat një numër ndryshimesh fizike të tilla si pulsi, frymëmarrja apo presioni i gjakut. Por besueshmëria e poligrafit u sfidua pothuajse po aq shpejt sa ai u krijua.

Më 1923, në atë që u bë një gjykim historik nga Gjykata Supreme, rasti Frye kundër Shteteve të Bashkuara, u vendos se provat shkencore, si ajo e marrë përmes një poligrafi, duhet të jenë të pranueshme në gjyq vetëm në rast se ishte “aq e përhapur dhe qe pranuar gjerësisht” nga bashkësia e shkencëtarëve.

Poligrafi u mbështet nga Leonarde Keeler, i cili më 1930 ndihmoi në themelimin e laboratorit shkencor për zbulimin e krimeve, laboratori i parë i tillë në SHBA, një vit para atij që hapi FBI.

“Një nga gjërat që Keeler ishte shumë i aftë të bënte, ishte të bënte blofin duke i shtyrë të dyshuarit të rrëfeheshin nën kërcënimin e demaskimit përmes detektorit të gënjeshtrave”.

Dhe nëntëdhjetë vjet pas shpikjes, poligrafi ende nuk është pranuar nga bashkësia shkencore, ligjore apo politike. Dhe fakti është që edhe tani, kriminelë të rrezikshëm arrijnë të mashtrojnë poligrafin.

Më 2003, Gary Ridgëay pranoi se ishte vrasësi serial i 49 grave në zonën e Siatëllit. Ai e pati kaluar testin e detektorit me sukses më 1987, ndërsa një njeri tjetër – i cili rezultoi i pafajshëm, në fakt nuk e kaloi testin. Është argumentuar se psikopatët apo vrasësit serial janë të aftë të mposhtin poligrafin, për shkak se kanë nivele ankthi shumë më të ulëta se sa njerëzit normalë.

Ka gjithashtu shembuj të njerëzve të tjerë,si Aldrich Ames, një agjent i CIA-s që spiunoi për Rusinë, që e kaluan testin pa probleme.

Poligrafia nuk ka bazë në shkencë për shkak se teknikat e poligrafit në përdorim sot u zhvilluan nga hetues, jo nga shkencëtarë, thotë George Maschke, një ish-zyrtar i shërbimit sekret të ushtrisë dhe bashkëthemelues i një organizate kundër poligrafëve.

Është e rrezikshme dhe e papërgjegjshme të bazosh punën te rezultati i një poligrafi. Poligrafia nuk ka avancuar siç duhej të kishte avancuar shkenca, dhe kjo ka ndodhur për shkak se nuk është shkencë, është një teknikë hetimore. Ajo mund të jetë e vlefshme për të marrë konfesione, por nuk është e besueshme në vetvete. Testet e poligrafisë mund të mposhten lehtë. Nuk ka nevojë të jesh një spiun i stërvitur apo një psikopat. Ti thjesht duhet të kuptosh se si të arrish të kontrollosh pyetjet dhe reagimet me teknika të tilla si kafshimi i një cepi të gjuhës, për të shkaktuar luhatje të çrregullta, apo me heqjen e mendjes nga pyetja duke zgjidhur me mendje ekuacione matematike,” thotë ai.

Në vitet e fundit, lloje të tjera testimi të së vërtetës kanë dalë në treg, të tilla si programe kompjuterike për analizimin e stresit të zërit, i cili është përdorur nga disa institucione qeveritare për të dalluar nëse aplikuesit për ndihmë ekonomike po gënjenin apo jo.

Por a munden këto teknika të reja të jenë të sigurta? “Është e mundur nën kushte të kontrolluara laboratorike të përdoret një teknikë e matjes së imazheve të trurit”, thotë Steven Rose, një profesor i neuroshkencës. Të intervistuarve u kërkohet që të deklarojnë një gënjeshtër. Pretendimi është se mund të dallosh nëse dikush po thotë një gënjeshtër. Por në botën reale nuk është kaq e thjeshtë”.