Sport Fitoi Superkupën e Europës, Shaqiri flet shqip në mes të Stambollit: Jam...

Fitoi Superkupën e Europës, Shaqiri flet shqip në mes të Stambollit: Jam krenar për Kosovën

Liverpool fitoi Superkupën e Europës në mesjavë, në përballjen angleze me Chelsea në Stamboll. 120 minuta lojë nuk ishin në gjendje të shpallnin fituesin, sepse mbeti në fuqi barazimi 2-2, ndaj u desh ekzekutimi i penalltive. Nga pika e bardhë, “Reds” u treguan më të saktë, duke e bërë të tyrin trofeun. Në skuadrën e drejtuar nga Jurgen Klopp është edhe një shqiptar, Xherdan Shaqiri, i cili nuk luajti në këtë supersfidë me fund dramatik, por mund të krenohet, sepse e bëri të vetën për herë të dytë Superkupën e Europës. Fillimisht me Bayern Munich, në vitin 2013, tani me Liverpool.

Pas finales së të mërkurës kundër bluve të Londrës, Shaqiri, mjaft i entuziazmuar, pati mundësinë të japë një intervistë edhe në gjuhën shqipe për RTK, në të cilën shprehet, mes të tjerash: “Është një ndjenjë e bukur. Nuk mundesh ta fitosh çdo ditë këtë trofe. Jam shumë i lumtur edhe për klubin. Objektivat? Kemi fituar Champions-in vjet, sivjet duam të luajmë një kampionat shumë të mire dhe më pas të shikojmë.

Ne e dimë të gjithë që Premier League është liga më e fortë në botë. Nuk i dihet kurrë çfarë ndodh. Ne kemi vetëbesim, duhet të luajmë një kampionat shumë të mirë, pastaj normale që dëshirojmë të fitojmë edhe Premier League. Kampionati Botëror i Klubeve? Ne duam të fitojmë gjithçka. Ka edhe ekipe të tjera të forta. Duhet të bëjmë një vit shumë të mirë. Mund të arrijmë gjithçka.

Kosova? Më pëlqen shumë si luan. Ka ekip shumë të ri. Jam krenar që ka shkuar përpara dhe po luan një futboll të bukur e rezultativ. Ishalla kualifikohet në Europian. Kam besim te Kosova. Duhet edhe pak kohë, është në nivel të mirë, mundet ende të përmirësohet. Jam krenar që ka një ekip kaq të mirë. E ardhmja ime? Kam një kontratë të gjatë me Liverpool-in. Futbollit nuk i dihet. Për momentin jam këtu, kam kontratë të gjatë”.