Michio Kaku është profesor i fizikës teorike në City College, Nju-Jork, me dalje të shumta televizive dhe autor i disa librave shumë të shitur. Libri i tij i fundit, “Ekuacioni i Zotit”, është një ekzaminim i qartë dhe i pranueshëm i nevojës për të kombinuar relativitetin e përgjithshëm të Albert Ajnshtajnit me teorinë kuantike për të krijuar një “teori gjithëpërfshirëse të gjithçkaje” për natyrën e universit.
Sa afër është shkenca në arritjen e kësaj teorie?
Ne kemi teorinë, por jo në formën e saj përfundimtare. Nuk është testuar ende dhe fituesit e çmimeve Nobel kanë pikëpamje të kundërta në lidhje me atë që quhet teori e vargut. Unë jam bashkëthemelues i teorisë së fushës së vargut, e cila është një nga degët kryesore të teorisë së vargut, kështu që unë jam pjesë e kësaj “loje”. Përpiqem të jem i drejtë dhe i ekuilibruar. Mendoj se jemi në prag të një epoke të re. Eksperimente të reja po bëhen për të zbuluar devijimet nga Modeli Standard. Për më tepër, ne kemi misterin e materies së errët. Secila prej këtyre zonave të pashkelura mund të na japë një ide për teorinë e gjithçkaje.
Teoria e vargjeve përfshin një pjesë të madhe të fizikës teorike, matematikës ekstreme dhe abstraksionit marramendës. A mendoni se publiku i gjerë është i aftë t’i kuptojë detajet e këtij debati?
Mendoj se publiku është kurioz se cilat mund të jenë pasojat e kësaj teorie. Universi në një farë kuptimi është si një lojë shahu dhe prej 2 000 vjetësh ne jemi përpjekur të kuptojmë se si funksionon ai. Dhe tani ne kemi filluar të kuptojmë se si lëviz mbretëresha në këtë fushë dhe si bëhet mat. Fati i shkencës është që të bëhemi si mjeshtrat e shahut, që ta zgjidhim këtë enigmë të cilën ne e quajmë univers. Ka pyetje të jashtëzakonshme për të cilat publiku i kërkon nga ne përgjigjet. Për shembull, udhëtimi në kohë, dimensionet e tjera apo portalet për të hyrë në to. Çfarë kishte para shpërthimit të madh (Big Bang)? Çfarë ka në anën tjetër të një vrime të zezë? Asnjë nga këto pyetje nuk mund të marrë përgjigje brenda kornizës së teorisë së Ajnshtajnit. Duhet shkuar përtej Ajnshtajnit në teorinë kuantike.
Nëse Isak Njutoni do të lexonte librin tuaj, sa do të kuptonte prej tij?
Unë mendoj se ai do ta vlerësonte. Në vitin 1666, njerëzimi u përball me murtajën. Universiteti i Kembrixhit u mbyll dhe një djalë 23-vjeçar që u kthye në shtëpi dhe ndërsa rrinte në tokën e tij pa një mollë që binte. Dhe pastaj ai e kuptoi se ligjet që kontrollojnë një mollë janë të njëjtat ligje që kontrollojnë Hënën. Pra, epidemia i dha Isak Njutonit mundësinë të ulej dhe të ndiqte matematikën e rënies së mollëve dhe rënies së hënave. Por sigurisht që në atë kohë nuk kishte fare matematikë. Ai nuk mund ta zgjidhte problemin kështu që krijoi matematikën e tij. Kjo është ajo që ne po bëjmë tani. Edhe ne po goditemi nga njëfarë murtaje. Edhe ne jemi të detyruar të qëndrojmë në tryezat tona të punës. Edhe ne, po krijojmë matematikë të re.
Disa fizikanë e shohin kërkimin e një teorie gjithëpërfshirëse si reduksioniste në mënyrë të gabuar. Si është pritur puna juaj në këto qarqe?
Do të jem shumë i hapur. Ka një ndarje, një ndarje që nuk e kemi parë për shumë dekada. Më kujtohet Konferenca e Solvay, kur Nils Bor dhe Albert Anjshtajn patën pikëpamje të kundërta mbi teorinë kuantike në një nga debatet më të mëdha në historinë e shkencës. Edhe teoria e vargjeve ka krijuar një interes të jashtëzakonshëm, por edhe një reagim të ashpër. Njerëzit thonë: mirë, po ku është prova? Sinqerisht, ne nuk kemi prova, njësoj siç nuk kishte as Njutoni provën e ligjit të tij në 1666-n. Ndonjëherë, matematika dhe idetë u paraprijë të dhënave konkrete eksperimentale. Në këtë pikë hyn në lojë edhe Përplasësi i Madh i Hadronit (LHC – makineria më e madhe për përplasjen e grimcave në CERN, Zvicër).
Ky i fundit para pak kohësh ishte në titujt e shumicës së mediave të botës për zbulimin e një sjelljeje të panjohur më parë të atyre që njihen si kuarket e bukura. A do të ketë kjo ndikim në teorinë e gjithçkaje?
Modeli Standard është teoria e pothuajse gjithçkaje. Funksionon në mënyrë spektakolare, por është një nga teoritë më të shëmtuara të propozuara deri më tani. Është kjo ortek numrash eksperimentalë që duhet t’i përdorësh. Por në teorinë e vargjeve, Modeli Standard është thjesht një element. Thjesht me disa supozime, arrin në të gjithë modelin standard. Pra, çështja këtu është që ne kemi nevojë për prova eksperimentale dhe LHC mund të na japë sugjerime të një devijimi në Modelin Standard dhe këtu hyn në lojë fizika post-LHC.
Ju kanë krahasuar me Karl Sagan në aftësinë tuaj për ta përcjellë shkencën komplekse në një formë të kuptueshme. Sa e rëndësishme është të arrish te audienca e gjerë?
Patëm një tronditje të madhe në vitet 1990 kur ne propozuam super përplasësin e grimcave. Ishte shumë më i madh se Përplasësi i Madh i Hadronit. Do të vendosej në periferi të Dallasit, Texas, por u anulua. Çfarë shkoi keq? Në një nga seancat e fundit dëgjimore, një kongresmen pyeti: “A do ta gjejmë Zotin me makinerinë tuaj? Nëse është kështu, unë do të votoj për këtë projekt”.
Fizikani i shkretë që iu desh t’i përgjigjej kësaj pyetjeje nuk dinte çfarë të thoshte. Duhet të kishim thënë se ajo do të ishte makineria e Zanafillës, që do të krijojë kushtet e shpikjes më të madhe të të gjitha kohërave – universit. Fatkeqësisht, thamë vetëm grimcat Higgs. Dhe njerëzit menduan “10 miliardë dollarë për një grimcë tjetër subatomike?” Dhe projekti u anulua.
A mërziten kolegët nga impakti që ju keni te njerëzit?
Le të jemi të sinqertë, Karl Sagan u prit ashpër kur filloi të hynte në arenën publike. Pati një votim për të iniciuar pranimin e tij në Akademinë Kombëtare të Shkencave dhe ai u refuzua. Super përplasësi u anulua sepse ne ishim në “kullën e fildishtë” dhe nuk kishim asnjë lidhje me taksapaguesit që prekeshin nga ligji. Dhe më pas erdhi Stiven Houking. Ai gjeneroi aq shumë interes dhe ishte një fizikan i mirëfilltë në skajin e shkencës, jo thjesht një njeri popullor – një kritikë kjo që i qe bërë Saganit. Kështu që unë mendoj se ishte përulëse. Duhet t’i këndojmë kësaj. Gjatë viteve 60, e gjithë ajo që na u desh të bënim ishte të shkonim në Kongres dhe të thoshim një fjalë: Rusia. Pastaj Kongresi nga ana e tij do të thoshte dy fjalë të tjera: Sa kërkoni? Ato ditë nuk janë më.
A besoni se brenda një shekulli do të biem në kontakt me një qytetërim alien? A shqetësoheni për atë që mund të vijë si pasojë?
Së shpejti do të kemi web-teleskopin në orbitë dhe do të shohim mijëra planetë. Kjo është arsyeja pse mendoj se shanset janë mjaft të mëdha që të mund të kontaktojmë me një qytetërim alien. Janë disa kolegët e mi që besojnë se duhet t’u afrohemi. Mendoj se është një ide e tmerrshme. Të gjithë e dimë se çfarë i ndodhi Montezumas kur ai u takua me Cortés në Meksikë qindra vjet më parë. Personalisht, unë mendoj se alienët do të ishin miqësorë, por ne nuk mund të vëmë bast për këtë. Kështu që mendoj se do të kemi kontakte, por duhet ta bëjmë këtë me shumë kujdes.
Ka shumë shkencëtarë brilantë, kontributet e të cilëve ju i diskutoni në libër. Cili prej tyre, për ju, dallohet midis të tjerëve?
Njutoni është në krye të listës, sepse, pothuajse nga asgjëja, nga një epokë magjie dhe shtrigash, ai solli matematikën e universit, nxori një teori të pothuajse gjithçkaje. Kjo eshte e pabesueshme. Ajnshtajni pasoi Njutonin, duke përdorur llogaritjet e tij për të avancuar me dinamikat e hapësirë-kohës dhe relativitetit të përgjithshëm. Ata janë si supernova: shkëlqejnë verbërisht, ndriçojnë tërë peizazhin dhe ndryshojnë fatin njerëzor. Ligjet e lëvizjes së Njutonit vunë në lëvizje themelin e Revolucionit Industrial. Një njeri i tillë lind vetëm njëherë në disa shekuj.
E përshkruani veten si agnostik. A ju ka afruar apo larguar kërkimi juaj me idenë e një Zoti që ka projektuar gjithçka?
Stiven Hoking tha se nuk besonte në Zot sepse shpërthimi i madh ndodhi menjëherë dhe nuk kishte kohë që Zoti të krijonte një univers, prandaj Zoti nuk mund të ekzistonte. Unë kam një këndvështrim tjetër. Prindërit e mi ishin budistë dhe në budizëm ekziston Nirvana, përjetësia, pa fillim dhe pa fund. Por prindërit e mi më futën në një kishë presbiteriane, kështu që unë shkoja në shkollën e së dielës çdo javë dhe mësoja për Zanafillën dhe mënyrën se si u krijua universi në shtatë ditë. Tani me teorinë multiverse, ne mund t’i bashkojmë këto dy paradigma diametralisht të kundërta. Sipas teorisë së vargjeve, shpërthime të mëdha ndodhin gjatë gjithë kohës. Edhe tani që flasim, Zanafilla po ndodh diku në kozmos. Dhe në çfarë po zgjerohet universi? Nirvana. Hiperhapësira njëmbëdhjetë-dimensionale është Nirvana. Kështu që mund t’i kemi të dyja, edhe budizmin, edhe filozofinë judeo-kristiane në një teori të vetme.
Burimi: The Guardian