Sport Franca bën detyrë, Anglia luan tenis, Portugalia e Ronaldos “ngec” në shtëpi

Franca bën detyrë, Anglia luan tenis, Portugalia e Ronaldos “ngec” në shtëpi

Franca ka bërë detyrën në sfidën e parë eliminatore të Euro 2020-ës, pasi ka fituar me rezultatin 1-4 në transfertën ndaj Moldavisë. “Gjelat”, që bëjnë pjesë në grupin H, bashkë me Shqipërinë, shënuan me anë të Griezmann, Varane, Mbappe dhe Giroud, duke marrë kryesimin e grupit.

Ndeshja tjetër e grupit, ajo mes Andorrës dhe Islandës, përfundoi me fitoren e miqve 0-2, të cilët gjithashtu iu bashkuan Francës dhe Turqisë në krye të grupit.

Në Grupin A, ku bën pjesë edhe Kosova, Anglia e nisi me një fitore spektakolare, duke mposhtur me goleadë Republikën Çeke, me rezultatin 5-0. Raheem Sterling shënoi 3 herë për “tre luanët”, ndërsa Kane dhe autogoli i Kalas, plotësuan festivalin e golave.

Sfida tjetër e këtij grupi, ajo mes Bullgarisë dhe malit të zi, përfundoi në barazim 1-1. Golat u shënuan të dy në pjesën e dytë, ku Mugosa kaloi në avantazh malazezët, ndërsa bullgarët u përgjigjën me Nedelev, duke barazuar dhe marrë një pikë.

Në grupin B, Portugalia e nisi aventurë ne eliminatoreve me një barazim pa gola në Lisbonë, ndaj Ukrainës, ndërsa Cristiano Ronaldo nuk arriti të bëjë asgjë për të ndihmuar të tijtë. Po në këtë grup, Luksemburgu mori fitoren minimal 1-0 ndaj Lituanisë, duke u renditur përkohësisht në krye.