Bota Franca në valën e katërt të pandemisë, nis penalizimi për të pavaksinuarit

Franca në valën e katërt të pandemisë, nis penalizimi për të pavaksinuarit

Franca hyn zyrtarisht në valën e katërt të pandemisë koronavirus. Mes shtimit të rasteve të reja, në zbatim është vendosur pasaporta shëndetësore. Që nga kjo e mërkurë, njerëzit duhet të vërtetojnë që janë vaksinuar, kanë rezultuar negativ në testin për Covid-19 ose janë shëruar për të hyrë në muze dhe kinema.

Përdorimi i “pasaportës së imunitetit” mund të zgjerohet edhe për hyrje në kafene, restorante dhe qendra tregtare. Autoritetet paralajmërojnë ditë të vështira përballë variantit indian delta.

“Përhapja e virusit është rritur me 150 për qind vetëm në një javë. Nuk kemi parë kurrë diçka të tillë. Jo me Covidin, as me variantin britanik Alfa, as me atë afrikan Beta, apo brazilian Gama”, tha Olivier Veran, ministër i Shëndetësisë.

Shpresa për të mbajtur situatën nën kontroll dhe lehtësuar struktura spitalore mbetet tek vaksinimi.

“Mobilizimi do të vazhdojë në mënyrë që synimi për të vaksinuar 40 milionë persona me të paktën një dozë deri në fund të gushtit, të bëhet në fund të korrikut”, tha Jean Castex, kryeministër.

Plani për aplikimin e pasaportave të imunitetit u prezantoi disa ditë më parë nga presidenti, Emmanuel Macron. Gjithashtu bëri të detyrueshëm vaksinimin e personelit mjekësor dhe atë të përkujdesjes ndaj të moshuarve. Masat e reja nxitën protesta të shumta në të gjithë Francën.