Bota Franca shpall shtetrrethimin në 8 qytete, mes tyre dhe Parisi

Franca shpall shtetrrethimin në 8 qytete, mes tyre dhe Parisi

Franca shpalli sot shtetrrethim në 8 qytetet kryesore të Francës, përfshirë Parisin, Marsejën dhe Lionin.

Çdo aktivitet tregtar në këto qytetet do të mbyllet në orën 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Qytetarët, përveç atyre që kanë leje të veçantë, nuk do të lejohen në rrugë pas orën 21:00.

Masat u njoftuan nga Presidenti Macron, në një intervistë për televizionin kombëtar.

“Ne nuk e kemi humbur kontrollin mbi virusin, por kjo është një situatë shqetësuese dhe sistemit shëndetësor i ka mbetur pak kapacitet, sepse rastet e infektimit po ndodhin në të gjithë vendin dhe personeli është i lodhur pas valës së parë të epidemisë në pranverë”, këmbënguli ai.

Ai tha se “ne duhet të vazhdojmë të punojmë, por do të mendojmë një mekanizëm për të ndihmuar baret dhe restorantet që do të mbyllen në orën 21:00”.

“Nga e premtja do të nisim konsultimin me personat e prekur për të hartuar një plan për ti ndihmuar bizneset e prekura”, tha Macron.

Franca do të vazhdojë të mbajë në fuqi gjobën për personat që nuk mbajnë maskë dhe do të angazhojë policinë në vende të caktuara.

Macron theksoi se me këtë lëvizje qeveria synon të ulë numrin e infektimeve ditore nga mesatarja aktuale prej 20 000 në 3 000-4 000, sepse në këtë mënyrë ajo mund ta menaxhojë.

Shtetrrethimi hyn në fuqi të shtunën.