Sport Franco Lerda “driblon” presidentin Demi: Nuk e kuptoj shqipen

Franco Lerda “driblon” presidentin Demi: Nuk e kuptoj shqipen

Në prag të derbit të madh të kryeqytetit, Tirana-Partizani, i pari për këtë sezon, Franco Lerda ka dalë në konferencë për shtyp, duke iu përgjigjur interesimit të lartë të gazetarëve. Italiani është paralajmëruar: nëse humbet nesër, shkarkohet nga pozicioni që mban. Ndër të tjera, ai ka nënvizuar: “A më kënaq barazimi në derbi? E kam thënë edhe më parë se skuadrat e mia futen në fushë që të fitojnë. Paralajmërimi i presidentit Demi? Unë nuk e kuptoj shqipen. Mua nuk më ka thënë asgjë presidenti. E kam të vështirë ta kuptoj shqipen.

E rëndësishme është që mua s’më ka thënë asgjë, nuk na ka vënë nën presion. Ne nuk e harxhojmë kohën me ato që thuhen jashtë ekipit. Atmosfera është e mirë, do të futemi në fushë për të marrë maksimumin. Sigurisht, duke qenë derbi, kjo ndeshje ka rëndësi të veçantë. Na duhen pikët, por suksesi vlen edhe për historinë që ka kjo sfidë. Fitorja ndaj Tiranës do të na përmirësonte shumë në aspektin psikologjik, por edhe do të na barazonte me pikë. Mos harroni se jemi vetëm 3 pikë larg kreut”.

3 apo 4 mbrojtës?

“Jemi përpjekur të përmirësohemi në disa defekte që kemi shfaqur gjatë fillimit të kampionatit. Akoma s’e kam vendosur si do ta rreshtoj skuadrën në këtë derbi, me 3 apo 4 mbrojtës. Boldor dhe Telushi e mbajnë pezull formacionin. Do t’i shoh në stërvitjen e fundit dhe më pas do të vendos nëse mund të luajnë. Tirana? E kam ndjekur në ndeshjen e fundit me Kukësin. Nuk duhej ta humbte atë ndeshje. Ka një skuadër të mirë”.

Tifozët?

“Kam pasur kontakte me ta para derbit, na kanë kërkuar të mos humbasim dhe impenjimi i të gjithëve të jetë maksimal. Për mua si trajner nuk është hera e parë që e përjetoj një derbi. Nëse fiton Tirana, e vetmja gjë që mund të ndodhë është se ajo merr 3 pikët, ndërsa ne jo. Pra, edhe derbi është llogari; kush fiton apo i humbet pikët. Në sulm kemi çaluar disi. Do të përpiqemi më shumë në këtë aspekt. Lojtarët s’duhen të jenë egoist, por të tregohen të saktë në pasimin e fundit”.