Ekonomi Frika dhe pasiguria nga pandemia, shqiptarët rrisin kursimet bankare

Frika dhe pasiguria nga pandemia, shqiptarët rrisin kursimet bankare

Periudha e pandemisë Covid-19 ka bërë që shqiptarët të shtojnë kursimet, pasi depozitat kanë shënuar rritje edhe gjatë tetorit. Sipas Bankës së Shqipërisë, depozitat bankare arritën në 8.7 miliardë euro gjatë pandemisë.

Frika dhe pasiguritë e shtuara për shkak të situatës pandemike u shoqërua me rritjen e kursimeve. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se totali i depozitave në fund të muajit tetor arriti një rekord historik prej 8.7 miliardë euro, duke u rritur me 20 milion euro, në krahasim me muajin e mëparshëm. Në krahasim me fundin e shkurtit, depozitat janë rritur me 39 miliardë lekë, ose rreth 317 milionë euro. Vitin e kaluar, shtesa e kursimeve për të njëjtën periudhë ishte 90 milionë euro, ose gati katër herë më e ulët. Ky është zgjerimi më i madh i depozitave për periudhën në fjalë që nga viti 2012.

Tirana ka peshën kryesore të kursimeve që qytetarët kanë mbyllur në banka e ndjekur nga Durrësi,Vlora dhe Elbasani.

Vendimi për të rritur kursimet ka ardhur edhe pse interesat mbeten shumë të ulëta sidomos për depozitat në lekë. Rritja e kursimeve duket se erdhi nga pamundësia fizike e qytetarëve për të konsumuar në kushtet kur pjesa më e madhe e bizneseve ishin të mbyllur. Rritje e nivelit të kursimeve në banka është vënë re edhe në shtetet europiane.