Bota Gangsteri më famëkeq i Holandës dënohet me burgim të përjetshëm

Gangsteri më famëkeq i Holandës dënohet me burgim të përjetshëm

Willem Holleeder, gangsteri më famëkeq i Holandës, është shpallur fajtor se ka urdhëruar një seri vrasjesh të figurave të tjera të botës së krimit të organizuar. 61-vjeçari mori famë në vitet 1980 kur mori peng manjatin e birrës, Freddy Heineken.

Më vonë ai u bë një bos i botës së krimit dhe është dënuar pas një gjyqi të gjatë dhe të kushtueshëm të zhvilluar në Amsterdam. Mes viktimave ishte edhe kunati e ortaku i tij Cor van Hout. Gjykatësit e shpallën fajtor për urdhërimin e vrasjes së pesë personave dhe një vrasje tjetër të kryer vetë, duke e dënuar me burgim të përjetshëm, edhe pse avokatët e tij thanë se do ta apelonte vendimin.

Të gjitha seancat u mbajtën në gjykatën e sigurisë së lartë në Amsterdam të quajtur “bunkeri”. Prokurorët arritën të mbështesnin akuzat e tyre falë dëshmisë së motrës së Holleeder, Astrid, e cila kishte regjistruar në fshehtësi bisedat me të vëllain. Pasi tradhëtia u zbulua, ajo u fsheh për t’i shpëtuar hakmarrjes. Edhe motra tjetër, bashkëshortja e Van Hout, Sonja, dëshmoi kundër të vëllait, ndërsa sipas autoriteteve vlerë pati edhe dëshmia e ish-të dashurës së tij, Sanda den Hartog.