Bota Gjendet i vdekur aktori i njohur amerikan

Gjendet i vdekur aktori i njohur amerikan

Aktori i njohur amerikan Michael K. Williams është gjetur i vdekur në apartamentin e tij në Nju Jork. 54-vjeçari ka qenë i njohur më së shumti për rolin në serialin dramatik ‘The Wire’ të transmetuar në HBO.

Mediat amerikane, duke iu referuar burimeve, raportojnë se aktori 54-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e mbidozës. Por kjo teori nuk është konfirmuar ende zyrtarisht.

Michael K. Williams ka qenë më parë i nominuar për tre çmime “Emmy”, si dhe kishte diskutuar hapur luftën e tij me drogën ndër vite.

Zëdhënësi i Policisë së Nju Jorkut u tha mediave se autoritetet shkuan në apartamentin e aktorit 54-vjeçar në Brooklyn, pasi ishin njoftuar me telefonatë urgjente.

Shumë aktorë të njohur kanë reaguar duke shprehur ngushëllimet për ndarjen e papritur nga jeta të 54-vjeçarit. Për rrjetin HBO, ky lajm ishte shokues.

“Jemi të shkatërruar pasi mësuam për vdekjen e Michael Kenneth Williams, një anëtar i familjes HBO për më shumë se 20 vjet. Teksa bota njeh talentin e tij të jashtëzakonshëm si artist, ne e njihnim Michael si një mik të dashur dhe ishte i respektuar nga të gjithë ata që kishin privilegjin të punonin me të. I shprehim familjes ngushëllimet tona për këtë humbje”, thuhet në reagimin e HBO.