Kryesore Gjermania: Të mbajmë zotimet për negociatat, ndryshe Rusia, Kina dhe Turqia do...

Gjermania: Të mbajmë zotimet për negociatat, ndryshe Rusia, Kina dhe Turqia do përfitojnë

Gjermania paralajmëron se mos hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut rrezikon të shfrytëzohet aktorë si Rusia, Kina apo Turqia për të shtrirë ndikimin e tyre në rajon. Sipas kryediplomatit gjerman, Michael Roth, dy vendet kanë kryer detyrat e kërkuara dhe meritojnë të shpërblehen.

Franca dhe vendet e tjera europiane javën e ardhshme duhet të heqin dorë nga skepticizmi për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Velt am Zontag”, ministri i Jashtëm gjerman, Michael Roth, i bëri apel partnerëve të mos shkelin fjalën e dhënë.

“Më 15 tetor duhet të japim sinjalin e duhur duke i dhënë dritën jeshile hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Dy vendet kanë përmbushur detyrat dhe kjo duhet shpërblyer. Kemi marrë zotimet tona, dhe tani duhet t’i mbajmë”, tha Roth.

Socialdemokrati gjerman thekson se përpos dëmit që do i sillte gjithë rajonit, refuzimi për të disatën herë mund të shfrytëzohej nga aktorë të huaj politikë.

“Një tjetër kthesë do rrezikonte seriozisht kredibilitetin e BE-së, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Po të krijojmë një vakuum politik, atë do e mbushin pa shumë ceremoni aktorë si Rusia, Kina, Turqia apo Lindja e Mesme”, theksoi ministri i Jashtëm gjerman.

Gjermania ka kushtëzuar avancimin e bisedimeve me Shqipërinë me funksionimin e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, dhe miratimin e reformës zgjedhore.

Procesi i negociatave me BE-në në tërësi rrezikohet më së shumti nga Franca dhe dyshimet për ritmin e reformave në dy vendet ballkanike.

Rezervat për zbatimin e ligjit i kanë mbështetur edhe vende si Holanda, Danimarka apo Spanja, por sipas medieve gjermane një veto e Parisit do mjaftonte për ta shtyrë procesin për një kohë të pacaktuar.