Politika GJKKO e pezulloi për abuzim me tendera, lirohet nga detyra prefektja e...

GJKKO e pezulloi për abuzim me tendera, lirohet nga detyra prefektja e Fierit

Prefektja e qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj, është shkarkuar sot nga detyra.

Vendimi i qeverisë vjen pas Balilaj është nën hetim nga SPAK.

Disa ditë më parë, Gjykata e Posaçme e pezulloi nga detyra Balilaj për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera e kryer në bashkëpunim” në dy raste dhe “falsifikim dokumantash” në kohën kur ushtronte detyrën e kryebashkiakes së Patosit.

Veç Baliajt, nën hetim janë edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të tjerë të Bashkisë Patos. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal për veprat penale të “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, e kryer në bashkëpunim,  dhe “Falsifikimi i dokumentave”, e kryer në bashkëpunim për dy tendera publikë.

Përkatësisht, “Ndërtim emergjent i murit mbajtës me gabiona dhe gurë në Dukas-Breg, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme, me fond limit 6,7 milionë Lekë, si dhe “Ndërtim emergjent i murit mbajtës në trupin e rrugës në fshatin Ruzhdie, si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe kthim i rrugës në gjendjen e mëparshme”, në vlerën 8,6 miliardë Lekë.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka vendosur caktimin e masës të pezullimit nga funksionet publike të 4 zyrtareve përshirë prefekten e Fierit, Rajmonda Balilaj, ndërsa 3 punonjës të tjerë të Bashkisë Patos kanë detyrimin e paraqitjes në Policinë Gjyqësore.