Aktualitet GJKKO lë në burg turko-shqiptarin e ekstraduar nga Bullgaria

GJKKO lë në burg turko-shqiptarin e ekstraduar nga Bullgaria

Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për turko-shqiptarin Rexhep Ipek.

Ipek është ekstraduar nga Bullgaria më 21 Janar të këtij viti, në zbatim të një urdhërkërkimi ndërkombëtar të shtatorit 2019, së bashku me 31 persona të tjerë, në kuadër të operacionit Limit.

Mbrojtësit e Rexhep Ipek, Avokat Arbër Hoxha dhe Avokat Dritan Metani u shprehën se: “Gjykata duhet të mbante parasysh jo vetëm rrezikshmërinë e faktit, por edhe atë të autorit, sidomos për fazën proceduriale në të cilën ndodhet procesi. Ndaj vendimit do ushtrojmë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit”.

49-vjeçari ishte shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal i goditur në vitin 2019 për trafikimin e kokainës.

3 vite hetime çoi në shkatërrimin e 4 grupeve kriminale të trafikut të kokainës dhe kanabisit që përpunohej në vendin tonë dhe trafikohej në Greqi, Turqi dhe vende të BE-së.