Bota Greqia, lobim që BE të miratojë pasaportën e vaksinës Covid

Greqia, lobim që BE të miratojë pasaportën e vaksinës Covid

Greqia po bën thirrje që Bashkimi Evropian të miratojë “pasaportat” e vaksinës Covid-19 në mënyrë që të hapë turizmin dhe të lejojë zhvillimin e pushimeve verore.

Në një intervistë me Financial Times, Ministri i Turizmit, Harry Theocharis, theksoi se futja e certifikatës së vaksinimit duhet të jetë një çështje e përparësisë së menjëhershme për Bashkimin Evropian.

Theocharis tha po ashtu se BE duhet të përshpejtojë vendimmarrjen mbi protokollet për lëvizjen e sigurt të qytetarëve europianë nga vendi në vend.

“Bashkimi Evropian duhet të miratojë certifikatën e vaksinimit pa vonesë. Njerëzit duhet të dinë sa më shpejt të jetë e mundur nëse do të jenë në gjendje të shkojnë me pushime verore këtë vit”, kërkoi ai.

Në lidhje me ndalimin e qeverisë britanike për udhëtime ndërkombëtare jo thelbësore, Theocharis tha: “Unë nuk i kuptoj paralajmërime të tilla, duke pasur parasysh progresin që po bëhet atje me vaksinimin. Nuk mund ta kuptoj pse tani po bëjmë hapa prapa, megjithëse tani kemi mjete gjithnjë e më efektive në “arsenalin tonë” krahasuar me vitin e kaluar, si vaksinat dhe testet e shpejta.”

Aktualisht, një certifikatë digjitale lëshohet për ata shtetas grekë që janë vaksinuar, por nuk është i detyrueshëm për të udhëtuar në Greqi.

“Qëllimi ynë është thjesht të lehtësojmë ata që kanë fituar imunitet nga ritestimi për Covid-19 kur të hyjnë në Greqi”, tha ai.