Kulturë Greqia presion Britanisë të kthejë skulpturat antike të Partenonit

Greqia presion Britanisë të kthejë skulpturat antike të Partenonit

Greqia ka rinisur përpjekjet për të tërhequr nga Muzeu Britanik skulpturat antike marrë mbi 200 vite më parë nga Partenoni, tempulli i ndërtuar në kodrën e Akropolit në nder të Hyjneshës Athina, mbrojtëses së qytetit.

Giannis Oikonomou, zëdhënësi i qeverisë tha para gazetarëve se kjo do jetë një ndër çështjet që do të diskutohet në takimin e të martës midis kryeministrit britanik Boris Johnson dhe homologut të tij Kyriakos Mitsotakis.

Shtatëmbëdhjetë skulpturat e mermerit, bashkë me një pllakë të madhe që shërbente si ornament i monumentit 2.500 vjeçar të Akropolit, u morën nga Lordi Elgin, ambasadori britanik në Perandorinë Osmane gjatë shekullit të 19-të. Sipas Britanisë, Lordi Elgin i kishte marrë skulpturat në mënyrë ligjshme gjatë periudhës së sundimit osman.

Kërkesa mbështetet nga Kombet e Bashkuara

“Detyrimi për të kthyer skulpturat e Partenonit i përket plotësisht qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar”, tha Oikonomou, ndërsa shtoi se kërkesa e Greqisë për bisedime bilaterale mbi këtë çështje ka marrë dhe miratimin e UNESCO.

Greqia kërkon të ekspozojë skulpturat, në rast se ato kthehen, në muzeun e ri të Akropolit që u çel në 2009.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi të premten se skulpturat i duhen rikthyer Athinës dhe i kërkoi Londrës që të bisedojnë për ta arritur këtë.

Por kryeministri britanik ka mbajtur qëndrim të kundërt duke u shprehur se Britania është “pronarja legjitime e mermerit të Partenonit”.

Nga ana tjetër muzeu britanik pretendon se ato janë pjesë e “trashëgimisë së përbashkët”.

Greqia ka kërkuar vazhdimisht rikthimin e skulpturave që kur fitoi pavarësinë në 1832.