Politika Hajdari: Basha të mos bëjë pazare me Ramën, duhet ndryshim i sistemit...

Hajdari: Basha të mos bëjë pazare me Ramën, duhet ndryshim i sistemit zgjedhor

Demokratja Rudina Hajdari, që në tryezën e reformës zgjedhore përfaqëson opozitën parlamentare, kërkoi nga kreu i PD që të mbështesë propozimet e tyre.

Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, Hajdari tha se është koha që Lulzim Basha të mos bëjë marrëveshje me Edi Ramën.

Ajo nuk është dakord me zvogëlimin e periudhës zgjedhore mes datave 15 prill-15 maj dhe 15 tetor-15 nëntor.

“Propozuam një ligj për referendumin, pasi nëse do ta kishim këtë Teatri Kombëtar nuk do të ishte shembur sot. I bëj thirrje Lulzim Bashës të mbështesë propozimin e opozitës parlamentare dhe të mos bëjë më marrëveshje me Edi Ramën, sepse sa herë gjendet ngushtë, ata bëjnë pazare. Nëse ne ndryshojmë fashat e orarit të atyre që votojnë, ne i mbyllim derën diasporës. Në qershor vijnë shumë njerëz nga diaspora. Këta po heqin këtë fashë, duke iu hequr të drejtën diasporës për të votuar. Pra, me këtë ndryshim ne i mbyllim dy herë derën diasporës.”

Rudina Hajdari nuk është dakord as me propozimin e PD-PS për financimin e partive për fushatën zgjedhore.

“Kanë rëndë dakord PS-PD, që financimi të dyfishohet. Këto lekë vijnë nga taksapaguesit shqiptar dhe minimum është të japin një shpjegim pse duan dyfishim të kësaj shume. Duhet t’iu japim shqiptarëve ndryshim të sistemit, ose t’i bëjmë të zgjedhin me referendum, nëse e duan ndryshimin e sistemit.”

Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik që zgjati tre orë, Damian Gjiknuri deklaroi për mediat se është arritur dakordësia mes palëve politike për disa çështje të rëndësishme.

Ai tha se është shkurtuar periudha zgjedhore dhe se qeveria ka marrë përsipër të shtojë financimin publik për fushatën zgjedhore. Po ashtu, Gjiknuri theksoi se u dakordësua edhe për parimin e kuotës gjinore.