Inxhinieri dhe biznesmeni Hetem Ramadani thotë se pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit janë një mësim i hidhur për papërgjeshmërinë me ndërtime të cilat Ramadani i quan mizore e deri antinjerëzore.
“Të dashur miq, duke ndjekur me emocion dhe dhimbje të thellë ngjarjen e 26 Nëntorit, jam pranë më shumë se kurrë me zemër dhe mjete financiare të dëmtuarve dhe njerëzve në nevojë. Është një mësim i hidhur që del në pah dhe shqetëson pafundësisht, nuk ishte tërmeti me pasojat që la pas, por mos përgjegjësia njerëzore me pangopje, mizori dhe papërgjegjshmëri me ndërtime amatoreske, mos thënë antinjerëzore”.
Duke folur si ekspert i materialeve ndërtimore, Ramadani shprehet se tërmeti nuk ishte faktor i shembjes së ndërtesave, por pjesë e shkakut. Fajtor ai cilëson markat e dobëta të betonit. Ai propozon që të merren mostrat e betonit si nga ndërtesat e shembura ashtu edhe nga ato të dëmtuara, në mënyrë që t’i bëhen analizat dhe të ketë një raport të hollësishëm për to. Kjo për Ramadanin është e nevojshme për të parandaluar pasoja në të ardhmen.
“Lidhur me këtë, si ekspert i materialeve ndërtimore (veprimtari imja nga vitet ’80 në Ramis Sadik, udhëheqës i Institutit për shqyrtime dhe analiza të shumë projekteve ndërtimore: termoelektrona B, rezervuarët ujore, fero nikel, qindra objekte banimi, ura etj) e ndjej për detyrë të informoj çka më poshtë:
1-Shembja e objekteve është e lidhur kryekëput me markat e dobëta të betonit dhe jo nga ky nivel intensiteti (pra tërmeti nuk ishte faktor i rrëzimit, por shoqërim i shkakut)
2-Propozoj të merren të gjitha mostrat e betonit në objektet e rrënuara, të dëmtuara dhe dyshuara për analiza nga institutet përkatëse dhe bërë një raport i hollësishëm dhe profesional lidhur me këtë.
3-Kjo duhet bërë për të parashikuar dhe parandaluar pasojat në të ardhmen dhe jo t’i gjunjëzohemi faktit dhe gabimit njerëzor”.
Në fund, inxhinieri e mbyll me një citim të Luther King: “Jetës sonë i vjen fundi kur heshtim për çështje të rëndësishme jetësore”.