Aktualitet Histori me spiunë, të arrestuarit në Gramsh dyshohet se janë rekrutuar nga...

Histori me spiunë, të arrestuarit në Gramsh dyshohet se janë rekrutuar nga inteligjenca ruse

Svetlana Timofeeva, 33 vjeç, Mikhail Zorin, 22 vjeç dhe Fedir Alpatov, 23 vjeç të mërkurën në Gjykatën e Elbasanit. Foto: Gent Shkullaku/ LSA

8 muaj pas arrestimit të 3 shtetasve rusë dhe 1 nga Ukraina në Uzinën e armëve në Çekin të Gramshit, autoritetet shqiptare kanë dyshime të forta se kemi të bëjmë me një rast real të spiunazhit rus.

Pas dështimit të policisë shkencore, organi i akuzës ka dërguar për të dytën herë, aparatet e tyre celulare në një kompani të specializuar për të përftuar komunikimet që rusët kanë pasur.  Prokuroria nuk i mohon dyshimet e arsyeshme që, Svetlana Timofevaa, Mikhail Zorin, Fjodor Mihailoviç dhe Fedis Alpatov nga Ukraina të jenë agjentë të rekrutuar nga inteligjenca ruse.

Kujtojmë se para 1 muaji Gjykata i refuzoi Rusisë kërkesën për ekstradim 33-vjeçares ruse, Timofevaa, duke pranuar kërkesën e kësaj të fundit për të qëndruar në Shqipëri.

4 të arrestuarit, vijojnë të mbahen në qeli edhe pas kërkesave të tyre të vazhdueshme për liri me kusht.

Ata u ndaluan mbrëmjen e 20 gushtit të një viti më parë në Çekin të Gramshit, brenda uzinës së armëve në këtë qytet, pasi u pikasën nga 2 ushtarakë, duke filmuar ambientet e brendshme të uzinës. Për të shmangur ndalimin, njëri prej tyre sulmoi me sprai paralizues ushtarët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici.

E megjithatë, ky nuk është rasti i parë që në territorin e Republikës së Shqipërisë ka histori me spiunë. Në vitin 2021, 4 anëtarë të së njëjtës familje humbën jetën në rrethana misterioze në një hotel në qerret të Kavajës. Nataliia dhe Sergei Burenkov, vajza e tyre Ekaterina Burenkova dhe partneri i saj Nikita Belousov, u gjetën të pajetë në katin e nëndheshëm të pishinave.

Për ngjarjen autoritete bënë dhe eksperimente hetimor me partnerët e NATO-s,  ndërsa dyshimet janë se anëtarët e familjes u helmuan pas udhëtimit të tyre në Ohër dhe humbën jetën në ambientet e resortit./A2 CNN