Kryesore Holanda zbulon shumën që do të dhurojë për Shqipërinë në Konferencën e...

Holanda zbulon shumën që do të dhurojë për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve

Holanda do të dhurojë 3 milionë euro për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit të një viti më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok i cili përmes një postimi në Twitter shpreh mbështetjen dhe ndihmën konkrete që Holanda dhuron për rindërtimin pas tërmetit 6, 4 ballë në Shqipëri.

“Holanda qëndron në krah të Shqipërisë pas tërmetit dhe do të dhurojë 3 milionë euro për rindërtimin”, – shkroi Blok në Twitter.

Bashkimi Evropian do të mbajë më 17 shkurt në Bruksel një konferencë me donatorë ndërkombëtarë për të ndihmuar Shqipërinë për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit. Vendet anëtare të BE, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore do të jenë pjesëmarrëse.

Komisioni Evropian ka ofruar një grand prej 15 milionë euro për rindërtimin. Për këtë, Presidentja e KE dhe Kryeministri i Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshje gjatë Konferencës së Donatorëve.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama takoi sot në Mynih të Gjermanisë homologun kanadez, Justin Trudeau i cili konfirmoi pjesëmarrjen e Kanadasë në Konferencën për Rindërtimin që do të mbahet më 17 shkurt në Bruksel.