Sport Humbja turpëruese me Spanjën, gjysma e federatës dhe 84% e tifozëve kërkojnë...

Humbja turpëruese me Spanjën, gjysma e federatës dhe 84% e tifozëve kërkojnë shkarkimin e Low

Humbja 6-0 përballë Spanjës ka lënë pasoja të rënda te Gjermania. Një tjetër mbledhje e drejtuesve të federatës, mund të vendosë sërish në diskutim të ardhmen e Joachim Löw në stolin e përfaqësueses.

Sipas mediave gjermane, krerët e federatës janë të ndarë rreth së ardhmes së trajnerit. Disa mbështesin idenë se Jogi duhet të vazhdojë projektin, ku vetëm drejtori i ekipeve përfaqësuese, Oliver Bierhoff e ka shprehur publikisht qëndrimin. Gjithsesi, pjesa më e madhe mendojnë se Löw duhet të largohet nga drejtimi i “panzerave” pas 14 viteve.

Edhe shumica e tifozëve të kombëtares së pancerave kërkojnë shkarkimin e Joachim Low. Humbja turpëruese 6-0 ndaj Spanjës i ka vendosur kapak gjithçkaje dhe fansat mendojnë se ka ardhur fundi i një cikli. Në një sondazh të zhvilluar nga agjensia gjermane e lajmeve SID, 84% të atyre që kanë marrë pjesë në sondazh, kërkojnë shkarkimin e Low.

Gjithsesi, situata është e komplikuar. Në ndihmë të trajnerit që ka fituar Botërorin 2014 dhe Kupën e Konfederatave në vitin 2017, vijnë dy faktorë. Së pari, për momentin, federata nuk ka në dispozicion një pasardhës të nivelit të lartë në stol.

Klopp dhe Flick, dy kandidatët më të rëndësishëm janë aktualisht nën kontratë me Liverpool dhe Bayern Munchen, ndërsa Rangnick, i cili është i disponueshëm, nuk i bind plotësisht zyrtarët e federatës gjermane. Një tjetër arsye, që mund të jetë vendimtare për të ardhmen e Joachim Löw është fakti se në më tepër se 100 vjet histori, Gjermania ka pasur vetëm dhjetë trajnerë dhe ndryshimet kanë ndodhur pas zhgënjimeve në turnetë madhorë.

Megjithatë, për momentin kuotat janë kundër trajnerit dhe pakkush do të hidhte bast për vazhdimësinë e tij në krye të panzerave.