Bota I nxehti “shkrin” Lindjen e Mesme, temperaturat pranë rekordit

I nxehti “shkrin” Lindjen e Mesme, temperaturat pranë rekordit

Dhjetëra qytete në Lindjen e Mesme janë duke u përballur me një valë të nxehti prej disa ditësh duke arritur në temperatura rekord prej 50 gradësh Celcius.

Bagdadi në Irak, vendi më i prekur nga i nxehti, regjistroi temperaturat më të larta në rajon për këtë javë, kur termometri të martën shënoi 51.7°C. Ndërsa në qytetet jugore të vendit temperatura nuk shkoi nën 50°.

Një stacion monitorimi në Houch al-Oumara, në luginën Bekaa të Libanit shënoi temperatura mbi 45° C të martën, që konsiderohen rekord për vendin, i cili është duke u përballur me ndërprerje të energjisë për shkak dhe të uljes së prodhimit të naftës dhe krizës ekonomike. Ndërkohë që në Damask të Sirisë termometri arriti në nivelin e 46°.

Temperatura më e lartë për këtë javë u regjistrua një ditë më parë në Amarah të Irakut me 53°C, shumë pranë rekordit kombëtar prej 53.9°C.