Bota I pafajshëm pas 22 vitesh burg, kërkon 66 milionë euro dëmshpërblim

I pafajshëm pas 22 vitesh burg, kërkon 66 milionë euro dëmshpërblim

Kreu 22 vjet burg dhe pse ishte i pafajshëm. Tashmë ai i kërkon shtetit italian 66 milionë euro.

Protagonist i kësaj historie është Xhuzepe Gulota, ish-murator nga Firence, viktimë e një prej gabimeve më të rënda të drejtësisë italiane.

Ai u arrestua në janar të 1976-s për vrasjen e dy agjentëve të policisë.

Në atë kohë 18 vjeç, ai u dënua me burgim të përjetshëm, por pas nëntë proceseve gjyqësore dhe 22 vitesh burg, në vitin 2012 ai u shpall i pafajshëm nga gjykata e Rexho Kalabria, pasi u vërtetua se rrëfimi i tij ishte përfituar nëpërmjet torturave dhe kërcënimeve nga ana e policisë.

Gulota ka marrë një dëmshpërblim prej 6.5 milionë eurosh për burgim të padrejtë, shifra më e madhe e paguar ndonjëherë nga shteti italian për të korrigjuar një gabim gjyqësor.

Ndërsa në kërkesën e re për dëmshpërblim prej më shumë se 66 milionë eurosh, përfshihen të gjitha dëmet morale dhe ekzistenciale.

Sipas avokatëve të tij, kjo është hera e parë që policia është palë e paditur për përgjegjësi penale.