Politika I quajti “bastardë” socialistët, Edmond Spaho përjashtohet nga seanca parlamentare

I quajti “bastardë” socialistët, Edmond Spaho përjashtohet nga seanca parlamentare

Momente tensioni ka pasur sot në Kuvendin e Shqipërisë për shkak të deputetit demokrat Edmond Spaho. Ky i fundit i quajti socialistët “bastardë”.

“Kjo ka zgjidhje vetëm protestat. Nëse do të vijojmë këtu asgjë nuk do të ndryshojë. Nëse në vendet e tjera do bien çmimet pas gjashtë muajve kjo nuk do të ndodhë. Duhet të ngrihemi në protesta e ti rrëzojmë. Këto marrin vesh vetëm me këtë gjuhë. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë”, tha deputeti Spaho në fund të fjalës së tij. Pas kësaj, socialistët kërkuan që Spaho të kërkonte ndjesë.

“Këtu t’i del përjashta, nuk vjen sot. Atë fjalën e fundit “bastardë”, zotëria nuk mund të rri më në këtë sallë. Të ndërpritet seanca, të thirret Komisioni përkatës. O bëhet njëri shembull tani, se nuk mund të vazhdojmë të vijë një njeri pas konsumimit të 7 gotave raki dhe të fyej në këtë farë feje Kuvendin.

Zoti Noka për ju kam respekt. Por zotëria në fund tha një fjalë të rëndë. O e merr fjalën dhe kërkon ndjesë ose do ndiqen përcaktimet e kodit të etikës. Atë ta mbajë për vete, për familjen e vetë. Unë mendoj që e tha pa dashje, nëse e tha me dashje është punë e tij”, tha Taulant Balla.

Nënkryetarja Felaj i ka dhënë fjalën deputetit demokrat Edmond Spaho që të kërkonte ndjesë, ose nëse nuk e bënte nuk mund të fliste. Sapo ai nisi të shprehej për herë të dytë, nuk kërkoi falje dhe seanca u ndërpre.

Më pas deputeti Spaho është përjashtuar nga seanca plenare ditën e sotme me vendim të Komisionit të Etikës.

Drejtuesja e seancës Ermonela Felaj ndërpreu seancën për disa minuta për të komunikuar më pas vendimin e Komisionit për përjashtimin e Spahos nga seanca dhe heqjen e pagës si deputet për një ditë.