Politika Takimi me ish-Presidentët, zbardhet mesazhi i Begajt: Nder të kem këshilltarë si...

Takimi me ish-Presidentët, zbardhet mesazhi i Begajt: Nder të kem këshilltarë si ju! Askush nuk është i përjetshëm

Presidenti i zgjedhur, Bajram Begaj ka ftuar sot për një takim tre ish-Presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Meidanin dhe Bamir Topin për t’u këshilluar me ta pas zgjedhjes nga Kuvendi me 78 vota pro.

Takimi është zhvilluar sot në Pallatin e Brigadave, ndërkohë që mësohet se ka zgjatur për rreth 90 minuta.

Ndërkohë që Java News ka zbardhur një pjesë të fjalimit të Bajram Begajt gjatë takimit me ish-Presidentët.

Begaj i ka cilësuar Moisiun, Meidanin dhe Topin si këshilltarë për të cilët ka ndër për t’i pasur afër në mënyrë që sipas tij të gabojë sa më pak kur të marrë zyrtarisht funksionet.

Fjala e Begajt në takimin me Moisiun, Topin e Meidanin:

Unë dëshiroj që kështu, së bashku, të kuvendojmë vëllazërisht për punët dhe sfidat e atdheut tonë. Koha kalon shpejt, askush nuk është i përjetshëm dhe asnjë detyrë shtetërore nuk është e pafundme. Por mësimet e vyera të atyre që kanë kaluar më parë nga rruga jonë duhen mbajtur parasysh sa më mirë dhe kur ke fatin që t’i kesh pranë ata, atëherë mund të gabosh më pak. Është një nder i madh për mua që të kem këshilltarë të tillë.