Tankredi Palmeri është një prej gazetarëve më në zë italianë, gjithmonë shumë i kujdesshëm mbi lajmet e merkatos, por shpeshherë ka bërë edhe rolin e mediatorit në tratativa të ndryshme për klubet e rëndësishme të Serisë A. Gazetari, i cili punon për rrjetin “BeIN Sports”, në një editorial për rrjetin “Tuttomercatoweb”, ka nënvizuar se Juventusi jo vetëm mbetet i interesuar për interistin Mauro Icardi, por në të njëjtën kohë i ka formuluar një ofertë konkrete argjentinasit, madje të pasuruar edhe me shifra më të larta sesa 8 milionë eurot neto, të ofertës së bërë verën e kaluar nga drejtori sportiv bardhezi, Fabio Paraticci.
Por, ndërkohë, në lojë për ish-kapitenin zikaltër është edhe Napoli, që i ofron një pagë edhe më të lartë sesa Juventusi, madje: “Oferta ka disa ditë që i ka mbërritur Mauro Icardit dhe Wanda Nara-s, – bën hyrjen e tij Palmeri. – Mes Juventusit dhe Interit, jo vetëm që janë hapur zyrtarisht kontaktet, por bardhezinjtë i kanë formuluar edhe ofertën lojtarit, e cila është edhe më e lartë sesa kërkesat që ka pasur bashkëshortja-menaxhere e argjentinasit.
Shifrat e sakta janë: 8.5 milionë euro neto në sezon plus 3 milionë euro bonuse, të cilat ndahen në varësi të arritjeve sportive të klubit dhe atyre të lojtarit, për sa i përket golave të tij të shënuar dhe përqindjes së ndeshjeve që do të grumbullojë në një sezon. Kohëzgjatja është 5-vjeçare. Dhe sigurisht që në këto shifra, duke parë edhe tundimin që ka nisur të qarkullojë në venat e Ikardit dhe Vandës, nuk do të ishte çudi që në verë gjërat të përfundonin me një shtrëngim duarsh mes palëve. Por kujdes… Në lojë për Ikardin është edhe Napoli, me presidentin De Laurentis që vetëm ta bëjë të vetin, i ka ofruar argjentinasit 9 milionë euro neto në sezon plus 3 milionë bonuse”, shkruan gazetari.