Politika Inceneratori i Elbasanit, Agaçi: Qeveria nuk e ka miratuar kurrë projekt-aktin. Nuk...

Inceneratori i Elbasanit, Agaçi: Qeveria nuk e ka miratuar kurrë projekt-aktin. Nuk i njoh Zoton, Mërtirin dhe Gugallen

Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, ka nisur që të japë dëshminë e tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët. Ai u shpreh se nuk ka asnjë njohje me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin dhe Stela Gugallen dhe nuk është takuar asnjëherë me ta. Agaçi u shpreh se Këshilli i Ministrave nuk ka miratuar kurrë projekt-aktin për koncesionin në inceneratorin e Elbasanit.

Jorida Tabaku: Keni ndonjë njohje me zotin Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stella Gugagllen.

Ëngjëll Agaçi: Jo!

Jorida Tabaku: Nuk i keni takuar asnjëherë për punë, për këtë kontratë koncensionare ose për arsye të tjera?

Ëngjëll Agaçi: Asnjëherë!

Jorida Tabaku: Në datën 17.11.2014 zoti Lefter Koka, ish-ministër i Partisë Socialiste, i dërgon një shkresë zotit Eduard Ahmeti, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik. “I nderuar zoti Ahmeti ju dërgojmë për mendim projektvendimin për përcaktimin e procedurës me negocim për dhënien me koncesion, PPP, të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane në qarkun Elbasan për prodhimin e Energjisë Elektrike”. Bashkëlidhur është njëkohësisht projektvendimi dhe relacioni shoqërues. Një ditë më pas në datën 18 Nëntor, një shkresë të cilën ky komision e ka administruar, APP i kthen përgjigje ministrit Koka duke cituar nenin  22, pika 3 të ligjit 125/2013 për koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat ku i thotë: Sipas këtij ligji vetëm 3 procedura njihen, procedura e hapur, procedura e kufizuar dhe procedura negocim me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.Këtë shkresë e kemi të administruar këtu. Duke qenë se procedura nga ish-ministri socialist zoti Koka me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës nuk bënte pjesë në asnjë nga 3 procedurat e parashikuara nga ligji, APP i kërkon ministrit Koka që procedura të kryhet në përputhje me parashikimet ligjore. Është vendosur për dijeni dhe ju, Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, zoti Ëngjëll Agaçi. Pra keni qenë plotësisht në dijeni se procedura e propozuar ishte në kundërshtim me ligjin. Cilat janë masat që janë marrë nga ana juaj në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të këshillit të ministrave pas marrjes për dijeni të kësaj procedure?

Ëngjëll Agaçi: Ju falenderoj zonja kryetare për pyetjen. Ju njoftoj dhe për mundësinë që më dhatë për të dhënë dëshminë time në lidhje dhe me këtë shkresë e cila vërtetë është hedhur shumë baltë në media, por asnjëherë e vërteta, ajo që rezulton në fakte, në shkresa dhe në akte. Është thënë padrejtësisht që në lidhje me këtë mendim të APP dhe në vijim të procedurave Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për autorizimin e procedurave. Ky fakt nuk është i vërtetë. Unë nuk jam një politikan, është hera e parë që më jepet kjo mundësi. Thashë që nuk jam një politikan dhe nuk kam pasur mundësinë asnjëherë që ta sqaroja këtë rrethanë. Ajo që ka më shumë rëndësi është për këtë Komision Hetimor dhe opinionin publik, është që Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë nuk ka miratuar kurrë projekt-aktin për të cilën ju i referuat mendimeve që ministria propozuese ka qarkulluar siç janë procedurat normale. E konfirmoj. Ky akt nuk është propozuar kurrë për shqyrtim në Këshillin e Ministrave dhe natyrisht nuk është miratuar asnjëherë në Këshillin e Ministrave. Nuk ekziston ky vendim qeverie. Është shumë e thjeshtë për ta verifikuar. Kushdo i lirë dhe të ketë akses në atë sistem për të verifikuar një të pavërtetë që është thënë me muaj dhe mbi të gjitha në emër të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.