Kryesore Incident te çadra e opozitës, Bregu ndalon militantët të dhunojnë një grua...

Incident te çadra e opozitës, Bregu ndalon militantët të dhunojnë një grua që thirri: Rroftë Rama (VIDEO)

Pas goditjes së Kreshnik Spahiut, një incident tjetër u shënua sot në çadrën e protestës së opozitës para kryeministrisë në momentin që po fliste Sali Berisha.

Tek po mbante fjalimin e tij kundër lidhjes së politikës me krimin para protestuesve demokratë, një grua pak metra më tej po shante me zë të lartë duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve dhe duke krijuar irritim mes militantëve.

“Malokë të qelbur, rroftë Edi Rama, ikni zhdukuni, lugatë, doni të vini në pushtet me shpuarje gomash”, ka bërtitur gruaja në momentin që po mbante fjalën Berisha, raporton gsh.al.

Menjëherë kanë ndërhyjë një pjesë e të rinjve protestues duke e shtyrë dhe larguar me forcë gruan nga zona e çadrës.

Në këtë moment ka ndërhyrë deputetja e PD-së, Majlinda Bregu e cila i ka bërtitur të rinjve “mos e godisni, është femër”, duke ndalur dhunën ndaj saj.

Megjithatë, edhe ky moment për pak sa shënoi një tjetër incident, sepse disa militantëve nuk u pëlqeu ndërhyrja e Bregut dhe nisën t’ia tregonin këtë pakënaqësi, vetë deputetes së PD.

Megjithatë, një gjest me dorë i Berishës që në atë moment po fliste dhe ndërhyrja e eksponentëve të tjerë demokratë, solli që situata të qetësohej dhe gruaja të largohej përfundimisht nga çadra e PD-së.

Gruaja që shkaktoi incidenti është Eklarina Hoxha, militante e Partisë Socialiste, aktualisht mbahet në Komisariatin nr.1 në kryeqytet, për të parandaluar ndonjë përplasje të mundshme mes saj dhe protestuesve të opozitës, të cilët gjatë kohës që ajo fliste me zë të lartë duke lëshuar thirrje kundër kësaj nisme, u acaruan.

“Nuk bëra asgjë. Thashë vetëm atë që ndieja; Rroftë Edi Rama. Kjo është bindja ime”, mësohet të jetë shprehur para oficerëve të policisë Eklarina Hoxha.