Aktualitet Iniciativa e 5 shefave shqiptarë të kuzhinës që jetojnë në Itali: Darkë...

Iniciativa e 5 shefave shqiptarë të kuzhinës që jetojnë në Itali: Darkë bamirësie për familjet e prekura nga tërmeti

Pesë shefa kuzhine që jetojnë në Itali kanë pasur një ide origjinale për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, duke vendosur të organizojnë një darkë bamirësie në një restorant në zonën e Sienës.

Prej pak ditësh, lajmi është përhapur me shpejtësi në mediat italiane, të cilat i kanë dhënë hapësirë kësaj iniciative, me qëllim mbledhjen e sa më shumë njerëzve, pasi të ardhurat do të shkojnë tek dy familje në nevojë që kanë mbetur pa shtëpi dhe që do të përzgjidhen me kujdes nga organizatorët.

Kryeshefja e kësaj darke që do të organizohet më 31 janar do të jetë vajza nga Berati, Entiana Osmenzeza, ndërsa gatimi do të bëhet në restorantin ku është shef Ardit Curri dhe tre pjesëmarrësit e tjerë, Gentian Shehi, Lul Valachi dhe Roland Bukri, janë shefa kuzhine në restorante të ndryshme të Italisë.

Ajo që e bën interesante këtë darkë është edhe menuja origjinale shqiptare, pasi klientëve do t’u ofrohen pjata që nisin nga mezet si turshi, lakër e marinuar dhe më tej byrek me lakra apo qepë. Të tjera pjata janë pastiçe, vezë dhe djathë, paçe me kokë viçi dhe tavë kosi me mish qengji.

Për ëmbëlsira, shefat kanë menduar të gatuajnë kadaif me arra, shëndetlie me bajame dhe në fund, për shoqërim, gurabie.