Bota Ish-prokurori që hetoi krimet e luftës në Kosovë, do të hetojë ish-presidentin...

Ish-prokurori që hetoi krimet e luftës në Kosovë, do të hetojë ish-presidentin Trump

Prokurori special, Jack Smith, do të mbikëqyrë dy hetimet federale që po zhvillohen për ish-presidentin Donald Trump: atë për dokumentet e klasifikuara të mbajtura në rezidencën e tij në Mar-a-Lago dhe atë për sulmin në Kapitol Hill në 6 janar 2021. Kështu ka vendosur ministri i Drejtësisë, Merrick Garland, duke emëruar një figurë të kualifikuar dhe me përvojë në gjykimet e krimeve të luftës.

Jack Smith u emërua në vitin 2018 si kryeprokuror i Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, ku hetoi krimet e luftës në Kosovë. I diplomuari politikisht i pavarur në Harvard është një veteran i Departamentit të Drejtësisë, ku ai drejtoi seksionin e integritetit publik dhe shërbeu si avokat shtetëror dhe federal në Nju Jork dhe Tenesi.

Ish-presidenti amerikan ka reaguar duke e quajtur “politike” dhe “të padrejtë” zgjedhjen për të emëruar një prokuror special. “Nuk është e pranueshme. Është kaq e padrejtë. Është kaq politike,” tha ai. Më pas ai shtoi se është një “shpërdorim i jashtëzakonshëm” dhe “i tmerrshëm i pushtetit”, “i fundit në një seri të gjatë gjuetish shtrigash që kanë filluar shumë kohë më parë”. Departamenti i Drejtësisë, sipas Trump, po “përdoret si instrument lufte”.

Duke folur nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, Trump pyeti pse nuk u caktua një prokuror special për të hetuar Hunter Biden, djalin e presidentit, i cili sipas tij “merrte para nga vendet e huaja”.

Prokurori special do të nisë punën “menjëherë” edhe pse do të jetw nën kontrollin e ministrit të Drejtësisë, i cili është përgjegjës për marrjen e vendimit përfundimtar. “Bazuar në zhvillimet e fundit, duke përfshirë njoftimin e ish-presidentit se ai do të kandidojë sërish në zgjedhjet e ardhshme dhe synimin e deklaruar të presidentit aktual për të kandiduar gjithashtu, unë kam arritur në përfundimin se është në interesin publik që të emërohet një prokuror special”, shpjegoi Garland në një konferencë për shtyp. “Ky emërim nënvizon përkushtimin e departamentit për pavarësinë dhe përgjegjshmërinë veçanërisht në çështjet e ndjeshme,” shtoi ai.