Bota Ish-shefi i CIA-s flet për UFO-t, teknologjinë dhe testet e poligrafit

Ish-shefi i CIA-s flet për UFO-t, teknologjinë dhe testet e poligrafit

I rritur në një qytet të klasës punëtore në Nju Xhersi, babai i John Brennan ishte një emigrant irlandez i cili gjithmonë i kishte porositur të bijtë t’u ishin mirënjohës qytetarëve amerikanë. Ky patriotizëm i ngulitur thellë dhe ndjenja e theksuar e së drejtës dhe së gabuarës për shkak të edukimit katolik do ta nxisnin John-in të bëhej fillimisht oficer i inteligjencës dhe më vonë edhe drejtor i CIA-s. Kujtimet e tij rrëfejnë këtë udhëtim në karrierë.

Në një intervistë për Tyler Cowen, ai rrëfen çfarë i mësoi puna në agjencinë e inteligjencës për atë që i motivon njerëzit, si edukata e tij katolike e përgatiti atë për të punuar në inteligjencë, ngjashmëritë midis punës në CIA dhe hyrjes në priftëri, aftësinë e tij për të sintetizuar informacione nga burime të ndryshme, vlerësimin e tij mbi mundësinë e jetës aliene, efikasitetin e testeve të personalitetit dhe poligrafit, pse agjentët e CIA-s janë kaq të përpiktë, ndikimi i teknologjisë mbi mjetet e spiunazhit etj.

Cilat të vërteta rreth natyrës ose sjelljes njerëzore mendoni se i vlerësojnë zyrtarët e inteligjencës, por pak të tjerë e bëjnë?

Unë mendoj se ata që janë të përfshirë në spiunazh me të vërtetë e kuptojnë se individët kanë dobësi, si dhe fusha me interes të veçantë që ata duan të ndjekin ose mbrojnë. Oficerët e çështjes – në gjuhën e CIA-s, ata që dalin dhe rekrutojnë spiunë për të kryer spiunazh kundër vendeve të tyre – mendoj se kërkojnë vërtet ato zona që mund të shfrytëzohen – dobësi apo karakteristika të tjera.

Ose njerëzit kanë ambicie, qëllime të caktuara gjatë gjithë jetës. Për shumë njerëz që jetojnë jashtë shtetit, është ardhja në Shtetet e Bashkuara apo sjellja e familjes këtu. Kur je në CIA dhe ke shumë ndërveprime me njerëz jashtë shtetit, mendoj se vlerëson disa nga ato ngjashmëri, si dhe ato cilësi unike që njerëzit sjellin në vëmendje.

Sa agjentë të CIA-s mund të kenë hyrë një herë në priftëri?

Agjentë të CIA-s, para së gjithash, është një term që u referohet atyre shtetasve të huaj që rekrutohen nga oficerët e çështjeve të CIA-s për të spiunuar kundër vendeve të tyre. Atyre u referohemi si oficerë të CIA-s ose oficerë të çështjeve të CIA-s.

Pak më gjerësisht ju lutem.

Punonjësit e CIA-s. Ka ngjashmëri midis atyre që zgjedhin priftërinë dhe atyre që vendosin të hyjnë në punën e komunitetit të inteligjencës. Siç e kam thënë në librin tim, unë po planifikoja të bëhesha prift dhe papa i parë amerikan, por më pas vendosa të zgjedh një rrugë tjetër. Kam takuar shumë njerëz gjatë gjithë karrierës sime të CIA-s që kishin ambicie të ngjashme.

Si mendoni se ka ndikuar fakti që jeni rritur si katolik në botëkuptimin tuaj mbi mbledhjen e të dhënave dhe natyrën dhe sjelljen njerëzore?

Unë jam rritur në një familje shumë fetare, besim katolik – ne shkonim në kishë, sigurisht, çdo të diel. Unë shkoja të shërbeja në altar shumë ditë gjatë gjithë javës. Por kishte një theks të vërtetë në bërjen e asaj që është e drejtë dhe të kuptuarit e dallimit midis së drejtës dhe të gabuarës dhe vlerësim për ndershmërinë.

Kur zgjedh të hysh në agjencitë, ka edhe një çmim që i vihet ndershmërisë, e cila tingëllon ndoshta pak ironike për disa, duke pasur parasysh që oficerët e CIA-s ndonjëherë duhet të adoptojnë identitete të rreme kur shkojnë jashtë shtetit për të rekrutuar spiunë. Por brenda familjes CIA ka nevojë reale për t’u siguruar që njerëzit të mos largohen nga e vërteta sepse siguria kombëtare është para të gjithave.

Kam zbuluar se edukata ime e hershme fetare më dha një bazë të mirë morali dhe vlerash dhe ato që unë mendoj se janë etika e jetës, megjithëse e kam thënë, sinqerisht, kam humbur besimin tim katolik ndër vite. Unë jam agnostik praktikant tani. Sidoqoftë, nuk e humba kurrë atë ndjenjë të rrënjosur dhe ngulitur thellë të së drejtës dhe të gabuarës që më mësuan prindërit e mi, mësuesit e mi dhe kleri.

Marina ka raportuar se shumë nga pilotët e saj kanë parë objekte të paidentifikuara fluturuese. Nëse po e trajtoni këtë, si drejtor i CIA-s ose dikush që punon atje, si do ta interpretonit?

Unë kam parë disa video të pilotëve të Marinës dhe duhet t’ju them se ato nuk të lënë indiferent kur i shikon. Ti përpiqesh të sigurohesh që të kesh sa më shumë të dhëna sa u përket pamjeve vizuale dhe gjithashtu lloje të ndryshme të sensorëve që mund të kenë qenë aty.

Gjithashtu, besoj, është e rëndësishme të arrish në mjedise të tjera dhe të zbulosh, a ka pasur ndonjë lloj fenomeni meteorologjik në atë kohë që mund të ketë krijuar, në fakt, pamjen e fenomenit që po shikoni? A kishte disa gjëra që po ndodhnin në tokë, ose lloje të tjera fenomenesh që mund të ndihmonin në shpjegimin e asaj që duket të jetë mjaft mister për sa i përket asaj që ekziston atje?

Unë mendoj se një gjë e rëndësishme që duhet të bëjnë analistët është të mos hyjnë në këtë lloj sfide ose duke hequr disa mundësi ose duke besuar paraprakisht se mund të jetë X, Y ose Z. Duhetq ë kësaj t’i qasesh me një mendje të hapur, të marrësh sa më shumë të dhëna të jetë e mundur dhe sa më shumë ekspertizë të jetë e mundur.

Në fund të gjithë kësaj, cila mendoni se është hipoteza më e mundshme?

Nuk e di. Kur njerëzit flasin për këtë, a ka jetë tjetër përveç asaj në Amerikë, në botë apo në glob? Jeta përcaktohet në shumë mënyra të ndryshme. Unë mendoj se është pak mendjemadhësi dhe arrogancë që ne të besojmë se nuk ka asnjë formë tjetër të jetës, askund në të gjithë universin. Ajo që mund të jetë u nënshtrohet shumë pikëpamjeve të ndryshme.

Por mendoj se disa nga fenomenet që do të shohim vazhdojnë të jenë të pashpjegueshme dhe mund të jenë, në fakt, një lloj fenomeni që është rezultat i diçkaje që ne ende nuk e kuptojmë dhe që mund të përfshijë një lloj aktiviteti që disa mund të thonë se përbën një formë tjetër të jetës.

Duke qenë agnostik, nuk mendoni se ka diçka të mbinatyrshme?

Epo, e mbinatyrshmja është në syrin e secilit. Përsëri, unë nuk e hedh poshtë këtë mundësi. Kjo është arsyeja pse unë jam agnostik që kundërshton ateistët. Unë thjesht dua ta lë mendjen hapur për atë që mund të jetë diçka, por kush e di se cilat mund të jenë këto gjëra?

Ndërsa e kuptoj se si funksionon CIA, brenda ndërtesave të CIA, ju, në thelb, keni një vend pune pa smartfonë për arsye sigurie. Si menaxher, çfarë keni mësuar në lidhje me efektin e telefonave inteligjentë në vendin tonë të punës?

Është një zhvillim relativisht i fundit teknologjik, për sa u përket telefonave inteligjentë dhe Fitbits dhe llojeve të tjera të gjërave që… edhe pse unë jam rritur në një epokë kur nuk e kishim gjithë këtë teknologji  në duar, unë kam arritur të kuptoj fuqinë e teknologjisë dhe si mund të përdoret për të çuar përpara objektivat e dikujt.

Por gjithashtu, mund të përdoret nga kundërshtarët për të shfrytëzuar, për të fituar akses në zona të caktuara, në lloje të caktuara të mjediseve ose bisedave ose çfarëdo tjetër, që mund të mposhtë vërtet sigurinë fizike, pengesat dhe perimetrat.

Kështu që unë e kuptoj plotësisht pse disa lloje të teknologjive mund të rrezikojnë privatësinë ose mbrojtjen e nevojshme të metodave në mjedise të caktuara. Ju mund të bëni plot gjëra për ta shmangur këtë lloj përdorimi, por sërish, CIA, NSA, FBI dhe të tjerët janë gjithmonë të vetëdijshëm që teknologjia që përdoret për qëllimet tona mund të përdoret në mënyrë të kundërt për qëllimet e të tjerëve.

Sa i saktë është testimi i personalitetit për punonjësit?

I saktë? Është një nga mjetet. Të gjitha këto lloje mjetesh janë të dobishme, por asnjëri prej tyre nuk duhet të shihet si i tillë që të lërë në hije të gjithë faktorët e tjerë. Por kur njerëzit punësohen në agjenci ose kur bëhet rishikimi i profilit të tyre, si dhe njerëz që duan të punojnë për agjencinë jashtë shtetit, të cilët ofrojnë shërbimet e tyre, duhet të kalojnë nëpër një seri vettingu dhe teste që përpiqen të gjejnë se ku mund të qëndrojë e vërteta.

Le të themi se unë dal i ndërgjegjshëm në disa nga këto teste. A do të thotë kjo se në të vërtetë kam gjasa të jem i ndërgjegjshëm?

Është një pyetje e mirë. Unë mendoj se vetëm sepse dikush testohet në një mënyrë të caktuar, nuk do të thotë që ai do të jetë kështu. Varet nga ashpërsia dhe forca e provës. Por unë nuk do të them se një provë e veçantë është një tregues i qartë. Unë mendoj se ka disa teste që janë tregues më të mirë se të tjerët. Për shembull, në agjenci, ne përdorim poligrafin.

Vetë poligrafi mund të jetë i saktë ose jo, por kemi zbuluar që në seancat e poligrafit, shumë gjëra dalin nga një person, sepse shqetësohen se makineria e poligrafit do të regjistrojë një gënjeshtër nëse e thotë atë. Përsëri, përdoret si mjet. Duhet të jetë pjesë e një grupi gjërash që do të përdoren në mënyrë që të përcaktohet nëse dikush është i denjë për punë ose thotë të vërtetën apo jo.

Në librin tuaj, ju duket se e trajtoni poligrafin si shumë të besueshëm. Sistemi ynë juridik zakonisht e trajton atë si jo aq të besueshëm. Literatura kërkimore është disi skeptike nga provat e kontrollit të rastësishëm. Sa i besueshëm mendoni se është?

Nuk jam dakord me karakterizimin tuaj që, në librin tim, e portretizova si shumë të besueshëm. Mendova se faji im katolik po përpiqej të minonte totalisht çdo përpjekje, nëse nuk do ta kisha një të tillë, për të provuar të mashtroja poligrafin dhe makinën e poligrafit. Nuk do ta shfrytëzoja atë shans sepse doja të punësohesha nga agjencia. Përsëri, mendoj se ato mund të jenë një tregues shumë i besueshëm, por njerëzit kanë përsosur disa teknika për të mposhtur makinat e poligrafit.

Ajo thotë shumë dhe kjo varet jo vetëm nga makina e poligrafit, por edhe nga poligrafisti. Poligrafët kalojnë një trajnim të gjerë dhe shumë nga vlerësimet e tyre bëhen duke parë individin, dhe si reagojnë ata, si zhvendosen, si lëvizin, dhe mënyrën se si u përgjigjen pyetjeve të caktuara. Ata u kthehen pyetjeve më vonë, dhe nëse ka apo jo qëndrueshmëri në përgjigjet që jepen. Sërish, poligrafi është një proces dhe është krijuar për të provuar të zbulojë gjithçka që ndoshta një punonjës ose një spiun po përpiqet të fshehë.