Aktualitet Italia tërheq kosin me plastikë. Fëmijët rrezikojnë mbytjen

Italia tërheq kosin me plastikë. Fëmijët rrezikojnë mbytjen

Ministria e Shëndetësisë në Itali ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme nga tregu italian të kosit të frutave për fëmijë “Pascoli italiani”.

Shkak për këtë urdhër është rreziku fizik që u kanoset fëmijëve nga copëza të forta plastike që mund të gjenden brenda gotave me kos me peshë 120g, me shije çokollate, banane dhe luleshtrydhe.

Në njoftim thuhet se rrjetet e shitjes së këtyre produkteve rekomandojnë si masë parandaluese që të mos konsumohet ky lloj kosi dhe subjektet që e tregtojnë të kthejnë mbrapsht këto paketime për rimbursim ose zëvendësim. Gjithashtu njoftohet se kosi i frutave që i nënshtrohet tërheqjes së menjëhershme nga tregjet tregon datën e skadencës 1 mars 2018.

Ky njoftim gjendet edhe në portalin për konsumatorë të RASFF-it, që është sistemi europian i alertës për sigurinë ushqimore. Sipas këtij sistemi vendet e prekura nga produkti i rrezikshëm janë Italia dhe Sllovenia.

Nga një vëzhgim i shpejtë i TCh në rrjetet kryesore të supermarketeve vetëm në Tiranë, nuk rezultoi që ky lloj kosi të shitej për konsumatorin shqiptar.  Autoriteti Kombëtar i Ushqimit sqaron se nuk ka njoftim zyrtar nga sistemi europian i alertës.