Ekonomi Jeff Bezos, biznesmeni i dekadës! Shefat e financave në të gjithë botën...

Jeff Bezos, biznesmeni i dekadës! Shefat e financave në të gjithë botën zgjedhin themeluesin e Amazon

Ekzekutivët financiarë në të gjithë botën kanë thënë se themeluesi i Amazon, Jeff Bezos, duhet të konsiderohet si biznesmeni i dekadës. Thuajse 1/3 e shefave të financave të anketuar nga CNBC, zgjodhën Bezos si liderin më mbresëlënës të biznesit.

Jack Ma, themeluesi i Alibaba dhe shefi i Tesla, Elon Musk, u renditën në vend të dytë dhe të tretë respektivisht.

Emra të tjerë të zgjedhur nga shefat e financave përfshijnë Satya Nadella, Tim Cook, Warren Buffet dhe Jamie Dimon.

Bezos e themeloi Amazon në mes të viteve 90’ si një dyqan librash në rrjet. Tashmë, kompania është kthyer në tregun më të madh në rrjet dhe merr gjithashtu të ardhura nga aktivitete si inteligjenca artificiale dhe njësia “cloud”.

Në vitin 2015, Amazon kaloi Walmart duke u kthyer në shitësin më të madh me pakicë në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2018, kompania gjeneroi rreth 233 miliardë dollarë nga shitjet. Sipas Forbes dhe Bloomberg, Bezos zotëron tashmë një pasuri prej 109 miliardë dollarë. Sondazhi i CNBC i është drejtuar kompanive publike dhe private më të mëdha në botë, që kanë së bashku një vlerë tregu prej 5 trilionë dollarë.