Aktualitet Jep dorëheqjen Prefekti i Lezhës: Jeta mbaron kur heshtim përballë gjërave që...

Jep dorëheqjen Prefekti i Lezhës: Jeta mbaron kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi

Gjokë Jaku, Prefekti i Lezhës, ka dhënë dorëheqjen 3 vite pas qëndrimit në këtë detyrë.

Dorëheqjen ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, ku ka falenderuar bashkëpunëtorët e tij dhe thotë se do të vazhdojë të mbetet i pandikuar në qëndrimet e tij.

Deklaratën e tij e mbyll me një shprehje të Martin Luther King, që thotë se “jeta fillon të mbarojë ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi”.

Reagimi i plotë i Prefektit të Lezhës Gjokë Jaku:

Miqtë e mi, bashkëpunëtorë, bashkëqytetarë!

Po ndaj me ju se sot kam dorëzuar dorëheqjen time nga funksioni i Prefektit të Qarkut Lezhë punë të cilën e bëj prej afro 3 vjetësh.

Së pari, falenderime pafund për administratën që unë drejtova, për korrektësinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e tyre, u ndjeva kaq mirë me to.

Së dyti falenderoj me mirënjohje të gjithë ata drejtues të pushtet vendor, Dr. Policisë, ushtrisë e të degëve territoriale të cilët respektuan një kod sjelljeje e bashkëpunimi miqësor. Falenderim pafund për gjithë kontributin e tyre në përballimin me kohë të zgjatur të situatës post tërmeti dhe të pandemisë kryesisht, shumë prej tyre meritojnë vlerësimin e gjithë opinionit.

Së treti, falenderime për të gjithë ata qytetarë që zgjodhen t’më takonin me besim në zyrë, rrugë e kudo, më inkurajuan e mbështetën por dhe më mirëkuptuan për mundësitë e mia në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Miqtë e mi të rrjeteve sociale!

Ka qënë po kaq i rëndësishëm për mua dhe komunikimi me ju, më keni ndjekur e ndjehem ngrohtë me ju, jam perpjekur t’ju ndjek sa kam mundur, sidoqoftë kjo në vartësi të kohës time.

Kjo periudhë 3 vjeçare ka qenë një eksperiencë e vlefshme për mua e pas asaj të Q. Shkodër në vitet 1997-2000, më ka plotësuar CV time por jo vetëm. Jam përpjekur gjithnjë të jem i përulur por dhe kërkues për arritjen e objektivave të punës. Jam i lumtur të kem lënë një gjurmë timen të mirë në këtë funksion të rëndësishëm.

Sigurisht që do vijoj të jem aktor modest në jetën publike lokale me të cilën u lidha prej më shumë 30 vjetësh, në të cilën u rrita e u formësova. Do jem banor i këtij qyteti përjetë, një mik juaji padyshim, i lirë në e i pandikuar në qëndrimet e mia, antikonformist për probleme që shqetësojnë mjedisin shoqëror, social etj. sepse kështu dua të mbetem.

“Jeta jonë fillon të mbarojë ditën kur heshtim përballë gjërave që kanë rëndësi” M. Luther King.