Bota Joe Biden: Forcat Maga kërcënojnë demokracinë amerikane

Joe Biden: Forcat Maga kërcënojnë demokracinë amerikane

Mbështetësit e agjendës së Donald Trump “Make America Great Again” (Maga) janë një kërcënim për demokracinë. Këtë deklaroi presidenti Joe Biden, duke u bërë thirrje amerikanëve gjatë një fjalimi të enjten në mbrëmje, që të shprehen kundër ekstremizmit kur të shkojnë në kutinë e votimit në nëntor.

“Forcat Maga janë të vendosura ta kthejnë këtë vend prapa”, tha ai në një fjalim në Pensilvani.

Republikani kryesor Kevin McCarthy reagoi se zoti Biden kishte “plagosur rëndë shpirtin e Amerikës”.

Fjalimet e duelit vijnë dy muaj përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat do të vendosin balancën e pushtetit në Uashington.

Presidenti demokrat mbajti fjalimin e tij të enjten mbrëma nga Salla e Pavarësisë në Filadelfia, ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së SHBA. Ai zgjodhi temën e fushatës së tij 2020 për rikthimin e “shpirtit të Amerikës”.

Ai tha se nuk po dënonte të 74 milionë amerikanët që votuan për zotin Trump dy vjet më parë. “Jo çdo republikan, madje as shumica e republikanëve, nuk janë republikanë Maga”, tha ai.

“Por nuk ka dyshim që partia republikane sot është e dominuar, e drejtuar dhe e frikësuar nga Donald Trump dhe republikanët Maga, dhe ky është një kërcënim për këtë vend”.

Ai u bëri thirrje drejtpërdrejt republikanëve të moderuar që të bashkojnë forcat me demokratët, për të mbrojtur demokracinë, pavarësisht nga ideologjia”.

“Për një kohë të gjatë, ne kemi pasur bindjen se demokracia amerikane është e garantuar. Por nuk është ashtu. Duhet ta mbrojmë atë. Mbrojeni atë”, tha ai.

Fjalimi është pjesë e një kthese të fortë nga ana e tij ndërsa afrohen zgjedhjet e Kongresit.

“Kam ardhur këtu në vendin ku e ka zanafillën gjithçka që t’i flas hapur kombit për kërcënimet me të cilat përballemi. Për forcën që kemi në dorë për t’u përballur me këto kërcënime. Dhe për të ardhmen e jashtëzakonshme që na pret nëse zgjedhim këtë rrugë”, tha ai.

Pasi ia kushtoi pjesën më të madhe të vëmendjes në vitin 2022 inflacionit të lartë në vend dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe pasi u infektua dy herë me COVID-19 gjatë verës, zoti Biden filloi ditët e fundit të vërë në shënjestër republikanët e lidhur me zotin Trump.