Histori Kalaja e Rozafës, një alegori e historisë së Shqipërisë

Kalaja e Rozafës, një alegori e historisë së Shqipërisë

Falë legjendës së saj të paharrueshme, e cila në mënyrë alegorike tregon historinë e Shqipërisë e popullit shqiptar sipas sakrificës së një nëne për fëmijën e saj, Kalaja e Rozafës mbetet një monumentet-simbol tepër i rëndësishëm i vendit.

Që prej mureve të lashta ilire e deri tek rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve, ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme. Për të njohur të shkuarën e lavdishme të Shkodrës si edhe disa nga etapat më të rëndësishme të historisë shqiptare, duhet të bëni patjetër një ndalesë në Kalanë e Rozafës.

Legjenda e Rozafatit

Sipas legjendës së dhimbshme, ndërtimi i Kalasë ishte i mallkuar prej perëndive të cilat shembnin çdo natë ndërtimin e çdo dite. Për të lejuar qëndrimin e mureve të kalasë, ato kërkuan një sakrificë e cila padrejtësisht u vendos të ishte Rozafa, nusja më e vogël e shtëpisë. Përpara se të vetësakrifikohej e të murosej e gjallë, Rozafa tregoi heroizmin dhe altruizmin e saj duke kërkuar që gjysma e trupit të saj të mbetej jashtë murit, në mënyrë që të ushqente e të kujdesej për foshnjen e saj. Një skulpturë e bukur e figurës së Rozafës e gdhendur brenda murit të saj gjendet në hyrje të kalasë. Ndërsa kalaja përmendet gjatë sundimit të mbretit ilir Gent, emrin Rozafa e hasim së pari gjatë mesjetës.

Dëshmitë historike

Brenda mureve të kalasë gjenden tre oborre kryesore, të cilat e bëjnë më të thjeshtë orientimin e turistëve. Pasi të hyni në barbakan, hyrja kryesore e fortifikuar e shekullit të XV-të, do të gjendeni në oborrin e parë, ku gjendet trakti i murit ilir të shek. të IV-rt para Krishtit, dëshmia më e vjetër e kalasë. Përgjatë oborrit të parë gjenden dhe rrënojat mesjetare të cisternave, kullave të Balshajve apo banesave veneciane.

Kisha e kthyer në xhami

Në oborrin e dytë, pranë mureve rrethuese në veriperëndim të kalasë, gjenden rrënojat e një objekti i cili meriton vëmendje. I ndërtuar në stilin romantik, fillimisht ky monument ishte Kisha e Shën Stefanit (shek. XIII-XV) por, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, objekti u transformua në Xhaminë e Sulltan Mehmet Fatihut (shek. XVI – XIX). Në të njëjtën periudhë, popullsia katolike braktisi kalanë dhe ambientet e saj u kthyen në një bazë ushtarake. Sot, rrënojat e kishë-xhamisë, që u braktis përfundimisht në vitin 1865, shërbejnë si simbol i pasazheve të mëdha historike që kanë ndodhur në Shqipëri. Në të njëjtin oborr janë edhe rrënojat e burgut otoman, kazerma e depos së municioneve që datojnë rreth shek. XVI – XVII, si dhe depozitat katërkëndëshe të mbuluara me qemer.