Bota Kalifornia izolohet, qytetarët urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

Kalifornia izolohet, qytetarët urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

Shteti i Kalifornisë në SHBA ka nxjerrë një urdhër për qytetarët që të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre në kuadër të masave për të ndaluar përhapjen e koronavirusit COVID-19.

Guvernatori i Kalifornisë Gavin Newsom iu drejtua qytetarëve në një konferencë shtypi, duke u thënë se duhet të dalin nga shtëpitë vetëm kur e kanë të nevojshme. Sipas tij, gjysma e popullsisë së Kalifornisë do të preket nga virusi COVID-19 gjatë dy muajve të ardhshëm.

“Ky është një moment kur duhet të marrim vendime të vështira. Duhet të pranojmë realitetin”, tha Guvernatori i Kalifornisë, i cili sqaroi gjithashtu se do të mbyllen për 30 ditë bizneset që nuk janë pjesë jetike e zinxhirit të ekonomisë. Ndërsa farmacitë, dyqanet ushqimore, bankat dhe pikat e karburanteve do të qëndrojnë të hapura.

Kalifornia është ndër shtetet e para amerikane që ka ndërmarrë kufizime në kuadër të masave kundër kësaj sëmundje.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rezultojnë të infektuar 14 mijë qytetarë, ndërsa më shumë se 200 persona kanë humbur jetën.