Bota Përdhunuan në grup 23-vjeçaren, ekzekutohen 4 të rinjtë

Përdhunuan në grup 23-vjeçaren, ekzekutohen 4 të rinjtë

Katër persona janë ekzekutuar në Indi në lidhje me përdhunimin në grup dhe më pas vrasjen e një studenteje në vitin 2012. Akshay Thakur, Vinay Sharma, Pawan Gupta dhe Mukesh Singh u dënuan me vdekje në vitin 2013. Ata u varën në burgun e sigurisë së lartë në Delhi.

Viktima e tyre vdiq disa ditë pas dëmtimeve që pësoi në incidentin që u shkaktua në një autobus. Kjo ngjarje shkaktoi zemërim mes njerëzve dhe çoi në miratimin e ligjeve të reja kundër përdhunimit në Indi.

Studentja e fizioterapisë ishte vetëm 23 vjeçe dhe në media u pagëzua me emrin Nirbhaya pasi nuk mund të publikohej identiteti i vërtetë.  Pas ngjarjes u arrestuan gjithsej gjashtë persona. Një prej tyre u gjet i vdekur në Mars të 2013-s në qeli. Një person tjetër, vetëm 17 vjeç në kohën e sulmit u lirua në vitin 2015 pasi kreu 3 vite dënim në një qendër rehabilitimi.

Muajt e fundit, katër personat e dënuar i ishin drejtuar Gjykatës Supreme me një peticion për ta kthyer dënimin me vdekje në burg të përjetshëm. Por gjykata më e lartë e vendit e refuzoi kërkesën e tyre.

“Shtrëngova foton e vajzës dhe i thashë që më në fund morëm drejtësi”, ka treguar e ëma e viktimës pasi të dënuarit u varën.

Çfarë ndodhi?

Studentja ishte në një autobus së bashku me një shok më 16 Dhjetor të 2012-s. Ata po ktheheshin në shtëpi pasi kishin parë një film në një qendër tregtare.

Gjashtë meshkujt, të cilët kishin qenë në autobus sulmuan çiftin dhe më pas përdhunuan vajzën. Përpara kësaj ata e kishin goditur me një shufër hekuri të renë. Edhe shoku i saj u dhunua.

Më pas ata u hodhën anash rrugës. Qëllimi i personave ishte që t’i linin të vdisnin. Ishin disa kalimtarë që i gjetën lakuriq dhe të gjakosur.

Dy javë pas kësaj ngjarjeje protestat u shpërndanë në të gjithë Indinë. Ndërkohë viktima e përdhunimit vdiq në një spital në Singapor