Aktualitet Kamerat e sigurisë filmuan vrasjen e ushtarit të Met Kananit

Kamerat e sigurisë filmuan vrasjen e ushtarit të Met Kananit

Vrasja e Armando Gjinit, anëtar i bandës së trafikut të drogës, të drejtuar nga Met Kanai, ngjarje e ndodhur këtë javë në Rrëshen, vazhdon ende të jetë pa autor, por grupi hetimor ka arritur të sigurojë disa pamje nga kamerat e sigurisë së bizneseve për të kuptuar dinamikën e saj.

Nga sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë të objekteve rreth vendit të vrasjes, dallohen dy persona të maskuar, njëri në timon dhe tjetri që ka qëlluar. Mirëpo, për shkak të pozicionit të filmimit, është shumë i vështirë identifikimi i tyre. Kjo, pasi gjatë kohës që ata kryejnë ekzekutimin e 48-vjeçarit janë me kurriz nga kamera e sigurisë.

Megjithatë janë duke u analizuar me detaje për të siguruar pamje të qarta për vrasësit, të cilët dyshohet se janë paguar. Hetuesit kanë vendosur si pistë kryesore të shkuarën e viktimës, por problemet e shumta të Gjinit me pazaret e drogës, borxhet por dhe me një gjakmarrje të vjetër.

Babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri plumbash në qendër të Rrëshenit sapo kishte ndaluar makinën nga ku kishin zbritur fëmijët dhe gruaja e tij. Atentatorët e dogjën mjetin që përdorën për t’u larguar nga vendi i ngjarjes në dalje të qytetit dhe janë larguar me një tjetër makinë.

Më 6 maj të këtij viti, eliminimi i Armando Gjinit u tentua me lëndë plasëse. Poshtë makinës së tij ishte vendosur një sasi eksplozivi, por që shpërtheu vetëm pas ndërhyrjes së forcave xheniere të Policisë së Shtetit. 48- vjeçari e kishte parkuar makinën poshtë pallatit ku banonte në Rrëshen, ndërsa të nesërmen, pasi kishte dërguar dy fëmijët në shkollë, vërejti një pako të dyshimtë poshtë sediljes. Ndërsa më 12 maj të vitit të kaluar, Armando Gjini u arrestua nga Policia e Shtetit, bashkë me 17 persona të tjerë. 48- vjeçari u paraqit me shumë bujë nga Policia dhe Prokuroria si një nga pjesëtarët e grupit kriminal të baronit të drogës, Met Kanani, i arrestuar në Turqi. Gjatë rivlerësimit të masës së sigurisë, Gjini u la në hetim në gjendje të lirë nga Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë.