Extra Kastriot Tusha zhgënjehet nga Ardit Gjebrea, priste të këndonte himnin në inaugurimin...

Kastriot Tusha zhgënjehet nga Ardit Gjebrea, priste të këndonte himnin në inaugurimin e “Air Albania”

Ardit Gjebrea ishte organizatori i performancës fantastike në ceremoninë hapëse të stadiumit të ri kombëtar, para fillimit të ndeshjes me Francën të dielën.

Në mesin e artistëve që performuan ishte Juliana Pasha, e cila këndoi himnin kombëtar.

Por artisti shqiptar Kastriot Tusha ka shprehur dëshirën e madhe që të ishte në vend të Julianës në këndimin e himnit.

Ai është shprehur në “Procesin Sportiv” se priste një ftesë nga Ardit Gjebrea dhe performancën e himnit e priste ndryshe.

“E prita një ftesë nga Ardit Gjebrea, për të kënduar himnin kombëtar në stadium sepse mora vesh që ai ishte organizatori. Po mesa duket ai nuk e pa të arsyeshme. Gjithsesi edhe Juliana Pasha bëri një performancë të shkëlqyer. Por duhet thënë se himni është diçka emocionuese. Duhet të të motivojë. Kur këndoja himnin më parë, ktheja kokën nga futbollistët. Ndoshta s’dinin të gjitha fjalët, por ama nxirrnin disa zanore. Unë e kisha imagjinuar ndryshe. Me 10 tenorë”, u shpreh tenori shqiptar.

Foto nga performanca e Juliana Pashës

Moderatorja Ilda Bejleri e mbështeti mendimin e tij, ku u shpreh se ai e ka kënduar gjithnjë himnin dhe pse mos ta këndonte në përurimin e stadiumit të ri.

Nuk dihet ende se pse tenori Tusha nuk u përzgjodh për të kënduar himnin kombëtar shqiptar në ceremoninë inauguruese të stadiumit “Air Albania”.