Aktualitet Katër persona në pranga për krime seksuale me të mitur në 24...

Katër persona në pranga për krime seksuale me të mitur në 24 orët e fundit

Katër persona janë vënë në pranga në 24 orët e fundit për abuzime dhe ngacmime seksuale me të mitur, mes tyre edhe një efektiv policie dhe një tutor.

Në një njoftim zyrtar shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat, deklaron se ka vënë në pranga efektivin e policisë kufitare, Petraq Rako.

63-vjeçari është ndaluar në kushtet e flagrancës pasi ka kryer marrëdhënie seksuale me një 13-vjeçare. E mitura shfrytëzohej nga 62-vjeçari Stefan Koloi, i cili ishte dhe tutori i vajzës. Autoritetet deklarojnë se kanë sekuestruar dy automjete, 4 aparate celularë, një sasi parash të përfituara nga veprimtaria kriminale. Gjithashtu është vendosur sekuestro konservative ndaj ambienteve të përshtatura për ushtrimin e prostitucionit.

Rasti tjetër është në Vlorë ku është ndaluar një 54 vjeçar pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht mbesën e tij 11-vjeçare. Ndërkohë në Gjirokastër u arrestua dhe një 34-vjeçar pasi ka ngacmuar seksualisht një 17-vjeçare.

Me shqetësim paraqitet situata edhe përgjatë vitit për rastet e krimeve seksuale.

Në analizën 9 mujore të policisë së shtetit, janë evidentuar gjithsej 102 raste. Numrin më i lartë janë ngacmimet seksuale me 35 raste, për të vijuar me veprimet e turpshme me 18 raste. Po 18 raste janë dhe të marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur.