Sport Katër propozime fituese, si Interi po tenton të bindë Dybalan

Katër propozime fituese, si Interi po tenton të bindë Dybalan

Inter po tenton të marrë Paulo Dybalan, pa patur nevojë që të ketë një shkëmbim me Mauro Icardin.

“La Gazzetta dello Sport” ka bërë me dije se drejtuesit e klubit zikaltër po shfrytëzojnë të gjithë lidhje me argjentinasin për ta marrë në Milano, por më parë duhet bindur Juventusi.

Sipas asaj që shkruan media italiane, faktori i parë që po shtyn drejt Dybala është trajneri Conte, i cili e dëshiron në skuadër dhe vetë Dybala ndihet mirë me të, i cili i premton ta kthejë në nivelet e tij më mira, si në sezonin 2017-18, kur shënoi 26 gola në një sezon.

Efekti i dytë është Beppe Marotta, të dy pjesë e Juventusit dhe do të kishin dëshirën e madhe për t’i treguar ish-klubit vlerën e tyre, por mbi të gjitha Dybala me Marottan drejtues do të ishte i mbrojtur nga gjithçka.

Më pas është lidhja e ngushtë që Dybala ka me Lautaro Martinez, të dy nga Argjentina dhe shoqërohet shumë me njëri-tjetrin.

Së fundi është efekti Edin Dzeko. Nëse Dybala kalon në Milano, pykë në sulm do të jetë boshnjaku dhe çdo sulmues i dytë që ka luajtur pranë tij ka shpërthyer. Një lojtar me nuhatje të madhe goli që shërben mjaft mirë edhe për ndihmësit e tij dhe padyshim Dybala-Dzeko do ishin një kartë fituese. Grafite shpërtheu krah Dzekos tek Wolfsburg, Aguero tek Manchester City dhe Salah kur ishte me boshnjakun tek Roma.