Politika Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, takim me ambasadoren gjermane dhe atë të Britanisë...

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, takim me ambasadoren gjermane dhe atë të Britanisë së Madhe

Në vijim të takimeve me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka zhvilluar së fundi takime të veçanta pune me Ambasadorët e Republikës Federale të Gjermanisë Susanne Schutz dhe Ambasadorin e Britanisë së Madhe Duncan Norman.

Këto takime janë pjesë e aktiviteteve që Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë zhvillon me Ambasadorët e akredituar në Tiranë me qëllim shkëmbimin e vlerësimeve mbi zhvillimet rajonale e ndërkombëtare, politikën e jashtme të Shqipërisë, sfidat e integrimit në BE dhe angazhimet në kuadër të organizatave ndërkombëtare, si dhe lidhur me situatën politike në vend.

Ambasadorët u njohën me opinionet e anëtarëve tanë duke vlerësuar si shumë të çmuar informimin për çështje që kanë rëndësi madhore për Shqipërinë. Ata vlerësuan rolin e pazëvendësueshëm të Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë në këtë drejtim, si dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në mënyrë konstante për të kuptuar më mirë dinamizmin e zhvillimeve në vend dhe në rajon.

Ambasadorët Schutz dhe Norman njohën anëtarët me prioritetet e vendeve të tyre në marrëdhëniet me Shqipërinë, si një aleat i vyer, si dhe shprehën angazhimin për mbështetje në rrugëtimin e saj drejt integrimit Evropian.

Në një periudhë të shkurtër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, në përbërjen e të cilit janë ish-Ministra të Punëve të Jashtme, ish-Ambasadorë dhe anëtarë të trupës tonë diplomatike, është bërë një zë i rëndësishëm dhe me ndikim në qarqe të ndryshme diplomatike.