Presidenti kinez Xi Jinping nderon Athinën me një vizitë shtetërore. Mbretëria e Mesme ka filluar të investojë në Greqi. Tani Greqia shpreson të bëjë marrëveshje të reja ekonomike, po mbase edhe më shumë.
Jannis Papadimitriou/DW
Afrim kaq i madh me Kinën shihet rrallë: Javën e kaluar kryeministri konservator i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis vizitoi Mbretërinë e Mesme, i shoqëruar nga një delegacion i madh ekonomik. Greqia festoi prezantimin si vend i ftuar në panairin e eksporteve në Shanghai.
Ndërsa të dielën, (10.11) në Athinë u shtrua qilimi i kuq për presidentin kinez të shtetit, Xi Jinping. Sipas njoftimeve të shtypit, miku kinez ka sjellë me vete 16 marrëveshje ekonomike për t’u nënshkruar në fushën e bujqësisë, telekomunikacionit, inovacioneve, turizmit, kulturës dhe drejtësisë. Po ashtu pritet që dy banka të mëdha kineze, Bank of China si dhe banka International and Commercial Bank of China (ICBC), të hapin filiale në Athinë.
“We are open for business” është motoja e preferuar e kryeministrit grek, Mitsotakis. Kryetari i konservatorëve hiqet si mik i ekonomisë, duke dashur të ulë me 30 përqind taksat mbi sipërmarrjet dhe të nxisë me tempo përshpejtuese, privatizimin e ngecur prej kohësh. Shtypi i afërt me qeverinë e ka tepruar me lajmet për sukseset sipas të cilave, SHBA kanë treguar interes për portin e rëndësishëm strategjik të Aleksandropulit, në afërsi me kufirin turk, ndërsa Izraeli ia ka vënë syrin industrisë greke të armatimeve, dhe koncerni gjerman i energjisë RWE, do që të marrë pjesë tek furnizuesit grek me energji elektrike, DEH.
Por kësaj here e ka radhën Pekini: “Gjashtë muajt e fundit disa projekte kanë përparuar dukshëm,” thotë Fotis Provatas, kryetari i Dhomës për Bashkëpunimin Greko-Kinez me qendër në Athinë. Një hap i rëndësishëm është hapja e filialeve në Athinë të dy bankave të mëdha nga Kina. Sepse “investitorët nga Kina shkojnë aty ku janë vendosur edhe bankat kineze,” thotë Provatas për Deutsche Wellen.
Pireu – Investime me sinjale ndikuese
Por mundësitë janë edhe më të mëdha. Sot, investimet kineze në Greqi nuk përbëjnë as një përqind të gjithë investimeve kineze në Europë. Si projekt shumë shpresëdhënës shihet porti i kontenierëve në Pire, i cili është në dorë të ndërmarrjes shtetërore kineze të transportit ujor, COSCO, që nga viti 2016. Porti më i madh i Greqisë, do të kthehet në pikë të rëndësishme të transportit me kontenierë në Europë.
Kina kërkon që të rrisë volumin e investimeve por nuk gjen gjithnjë mirëkuptim në Athinë. Sipas informacioneve të gazetës Kathimerini, grekët e kanë refuzuar propozimin për të hapur një kantjer detar për jahtet e mëdhenj, me sa duket për të respektuar konkuruesit lokalë.
Edhe zgjerimi i planifikuar i kapaciteteve për kontanierët ecën ngadalë. Megjithatë: “Invesimet e COSCO-s në Pire janë histori suksesi,” thotë Konstantinos Filis, drejtor studimor në Institutin për marrëdhënie ndërkombëtare të Athinës. Po ashtu e rëndësishme është që, Kina të respektojë rregullat europiane si për shembull ato për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, thotë studiuesi i shkencave politike.
Fotis Provatas shpjegon, se është në interes të Greqisë që të kërkojë respektimin e normave europiane, sepse një vend i vogël si Greqia nuk ka mënyrë tjetër mbrojtjeje ndaj arbitraritetit të më të mëdhenjve. “Në të kaluarën Hungaria u mundua që të anashkalonte rregullat europiane, kur bëri biznes me Kinën dhe pati shumë probleme. Ne duhet të mësojmë nga kjo.” Edhe Filis paralajmëron për rreziqet që ekzistojnë, nëse nuk respektohen normat europiane dhe tregon mirëkuptim për afrim edhe më të ngushtë me Kinën. Greqisë i duhen menjëherë investime të reja dhe para e freskët, shpjegon analisti. Nga Europa është duke u bërë pak në këtë drejtim.
Vizë e artë për Mbretërinë e Mesme
Interesante për investitorët kinezë është edhe tregu grek i pasurive të patundshme. Për këtë ndihmon biznesi me të ashtuquajturat viza të arta. Qytetarë jo të BE-së, që investojnë 250 mijë euro në pasuritë e patundshme greke, marrin lejeqëndrimi pesëvjeçare në Greqi. Në asnjë vend tjetër të Europës nuk mund të sigurohet liri qarkullimi kaq lirë sa në Greqi. Më shumë se 5 mijë kinezë e kanë shfrytëzuar këtë mundësi, dhe tendenca është në rritje. Një model i ri biznesi? Me gjithë simpatinë për Kinën, Fotis Provatas mbetet skeptik: “Në zhvillimin ekonomik të Greqisë nuk ndikojnë blerjet e pasurive të patundshme, por investimet në fushën e prodhimit.”