Bota Kinezët braktisin Italinë, pas pandemisë rikthehen në atdhe

Kinezët braktisin Italinë, pas pandemisë rikthehen në atdhe

Grila të mbyllura të dyqaneve apo tabela ku shkruhet jepet me qira, është kjo pamja në qytetin e dytë më të madh në Itali, në Firence, shkruan Euronews.

Prato, afër Firences, është një lagje e njohur dhe aktive për prodhimin e rrobave dhe gjithashtu shtëpia e 25.000 fabrikave kineze dhe 6.000 shtetasve kinezë.

Sidoqoftë, që nga janari i vitit 2020, numrat duket se po zvogëlohen. Ndonëse nuk ka statistika zyrtare, shumë persona të komunitetit kinez duket se janë larguar për t’u kthyer në Kinë.

“Kina ka ndryshuar shumë që nga vitet 80 dhe 90. Është bërë tërheqëse për kinezët jashtë vendit. Fakti që ata arritën të ishin shumë efikasë në kontrollin e pandemisë ka inkurajuar shumë që të mendojnë të kthehen në Kinë si një mundësi konkrete”, u shpreh Marco Wong.

Numri i fëmijëve kinezë në shkolla ka rënë gradualisht që nga viti i kaluar. Shumë prindër po dërgojnë fëmijët e tyre në Kinë për të ndjekur shkollat atje si një zgjidhje e përkohshme, për shkak të pandemisë dhe sepse ata janë të lodhur nga mësimi në distancë në Itali.

“Shumë ndryshime po ndodhin këtu në Prato. Për herë të parë në 3 dekada ka shenja se komuniteti kinez po reduktohet, sepse shumë prej tyre që kanë jetuar e punuar këtu prej vitesh kanë vendosur të kthehen në Kinë derisa pandemia të përfundojë”, tha Luca Palamara.

Pjesëmarrja në vendet e kultit gjithashtu ka rënë shumë, siç tregon imazhi i një tempulli budist në qendër të Pratos, i cili është pothuajse bosh.

“Gjatë festimeve tona fetare, jemi pak prej nesh, ndryshe nga më parë. Për t’ju dhënë një shembull, në Ditën e Vitit të Ri Kinez 2019, ne kishim 3.000 njerëz vetëm për të dëgjuar tingullin e ziles. Këtë vit ishim vetëm 20 veta”, tregoi Davide Finizio, sekretari i tempullit budist Puhuasi në Prato.

Është shumë herët të thuhet nëse trendi i emigrimit të kinezëve në vendin e origjinës do të jetë i qëndrueshëm dhe përfundimtar, por pandemia Covid-19 po ndryshon demografinë e këtij qyteti në qendër të Italisë.